Erdoğan: Nuk ka asnjë çështje në Ballkan që nuk mund të kapërcehet me bashkëpunimin e ngushtë Turqi-Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se “nuk ka asnjë çështje në Ballkan që nuk mund të kapërcehet me bashkëpunimin e ngushtë, të sinqertë dhe efektiv të Turqisë dhe Shqipërisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në hapjen zyrtare të Xhamisë Et‘hem Beu të restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Erdoğan shprehu falënderime ndaj Allahut që ka bashkuar zemrat në një rast të tillë, si dhe falënderoi të pranishmit që mbushën sheshet me durimin dhe dashurinë e tyre që kanë treguar.

“E di që keni ardhur nga Shkupi, nga Shkodra dhe keni pritur për disa orë këtu ku ne po kalojmë një ditë kuptimplote këtu në Shqipëri. Po ashtu ka vëllezër që kanë ardhur nga Kosova të cilët i përshëndes përzemërsisht. Po përjetojmë lumturinë e vendosjes në shërbim të projekteve, veprave që janë shenjë e vëllazërisë mes nesh”, tha Erdoğan.

Erdoğan rikujtoi se në mëngjesin e djeshëm (17 Janar) kanë realizuar dorëzimin e banesave të tërmetit që janë ndërtuar nga Turqia në Laç dhe se janë të kënaqur që shohin shërimin e plagëve nga tërmetet e ndodhura më 21 shtator dhe 26 nëntor të vitit 2019.

Erdoğan uroi mëshirën e Allahut mbi personat që humbën jetën në tërmet dhe theksoi mbi krenarinë në emër të popullit që kanë realizuar sot dorëzimin e 522 banesave të ndërtuara për të prekurit nga tërmeti.

Ai theksoi se si Turqi ata i kushtojnë rëndësi mbështetjes së zhvillimi të Shqipërisë dhe ringjalljes së veprave të trashëgimisë kulturore.

“Në këtë aspekt kemi realizuar 546 projekte me ndihmën e TIKA-s që nga viti 1996. Shpresoj se edhe pas kësaj do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit shqiptar. Nëse nuk paraqitet ndonjë situatë e jashtëzakonshme shpresoj se deri për muajin e Ramazanit ta përfundojmë xhaminë e Namazgjasë. Besoj se nuk ka asnjë çështje në Ballkan që nuk mund të kapërcehet me bashkëpunimin e ngushtë, të sinqertë dhe efektiv të Turqisë dhe Shqipërisë. Kam besim se bashkë me mikun tim të çmuar, kryeministrin Edi Rama, do të jetë nevojë vëllazërore që të përfundojmë sa më parë këto vepra të tilla”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan uroi që Xhamia e Et‘hem Beut të jetë e dobishme dhe shprehu mirënjohjen e tij për kryeministrin Rama dhe të ministrave shqiptarë për mbështetjen e tyre në procesin e restaurimit.

“Uroj që lutjet dhe adhurimet në këtë xhami të bukur të jenë të pranuara nga Allahu. Allahu mos të na lërë pa dashuri, pa ujë, pa ajër, pa atdhe, pa shtëpi, pa tempull, pa minare dhe pa ezan” foli Erdoğan.

Ceremonia e hapjes filloi me pjesë nga Kur-ani, ndërsa para fjalimeve u prezantua një film promovues i përgatitur nga TIKA.

Në ceremoni ishin të pranishëm shumë qytetarë me flamuj të Turqisë dhe Shqipërisë në duar.

Pas lutjes së kryer nga kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş, presidenti Erdoğan, kryeministri Rama dhe anëtarët e protokollit kryen hapjen me prerjen e shiritit.

Erdoğan dhe Rama më pas së bashku inspektuan xhaminë Et‘hem Beut. /aa