Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit me homologun e tij somalez, Hassan Sheikh Mohamud, ka deklaruar se vendimi i Izraelit për të njohur Somalilandin është i paligjshëm dhe i papranueshëm, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin somalez, presidenti Erdogan tha se në Somali është arritur një përmirësimi i ndjeshëm i sigurisë, pavarësisht akteve të ndryshme të sabotimit nga ata që nuk duan që Somalia të rilindë.
“Turqia planifikon të fillojë operacionet e shpimit në vitin 2026”, tha Erdogan, duke shtuar se këto aktivitete do të japin kontribute të rëndësishme për mirëqenien e popullit somalez.
Presidenti turk njoftoi se Ankaraja në flotën e saj ka shtuar dy anije të reja shpimi në ujërat e thella.
Ndërkaq, presidenti somalez Mohamud, nga ana e tij, tha se Somalia ka ndjerë mbështetjen e Turqisë dhe popullit turk, teksa po përballet me kërcënime për integritetin dhe sovranitetin e saj.
“Qëndrimi agresiv” i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kundër integritetit territorial të Somalisë, tha presidenti Mohamud, është i “papranueshëm”.
Të premten, Izraeli e njohu si një shtet të pavarur dhe sovran Somalilandin, rajonin e shkëputur të Somalisë.
Somalilandi, i cili nuk ka fituar njohje zyrtare që nga shpallja e pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, vepron si një entitet “de fakto” i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë, me qeverinë qendrore të paaftë për të ushtruar kontroll mbi rajonin dhe udhëheqjen e saj të paaftë për të siguruar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë.
Qeveria somaleze refuzon ta njohë Somalilandin si një shtet të pavarur, e konsideron atë një pjesë integrale të territorit të saj dhe çdo marrëveshje ose angazhim të drejtpërdrejtë me të e konsideron si një shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.



