FBI rinis hetimet ndaj Clinton

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim të ri ndaj organizatës jofitimprurëse të familjes Clinton, pas kërkesës së presidentit Donald Trump dhe republikanëve që ky departament të rishikojë akuzat politike për korrupsion. Kështu, fondacioni në fjalë do të hetohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe FBI, lidhur me pretendimet se Hillary Clinton ka favorizuar politika për donacione të papërcaktuara në fondacion, ndërkohë që shërbente si Sekretare e Shtetit.

Sipas mediave amerikane, FBI në fakt ka hetuar heshturazi Fondacionin Clinton për muaj me rradhë dhe investigimi po drejtohet nga agjentë nga Arkansas, ku organizata edhe është themeluar. Megjithatë sërish sipas mediave amerikane, punonjës të Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale dyshojnë nëse ky hetim do të ngrejë akuza.

Kujtojmë se FBI filloi hetimet ndaj fondacionit në vitin 2015, por procesi u pezullua gjatë sezonit zgjedhor të vitit që pasoi. Gjatë kohës kur bënte fushatë, Donald Trump premtoi madje se do ta burgoste kundërshtaren Hillary Clinton në rast se ai do të fitonte presidencën. Pasi e braktisi këtë çështje për disa kohë, Trump duket se i është rikthyer sulmeve ndaj Clinton, pikërisht në çastin kur problemet e tij ligjore janë shtuar ndjeshëm./Ora News.tv/