Kritikët paralajmërojnë për pasoja negative
Një raport i Financial Times, zbulon se Gianni Infantino po shqyrton hapjen e FIFA-s ndaj investitorëve privatë. Në qendër të projektit është Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Pas suksesit financiar të Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po shqyrton një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e organizatës: hapjen e saj ndaj kapitalit privat.
Sipas një investigimi të Financial Times, po studiohet krijimi i një strukture të re financiare që do të menaxhojë aktivitetet ekonomike të FIFA-s dhe do të shesë një pjesë të vogël të aksioneve për investitorë privatë.
Në krye të grupit të investitorëve që synojnë të marrin pjesë në këtë projekt thuhet se është Joshua Kushner, themeluesi i fondit të investimeve Thrive Capital dhe vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-këshilltarit të tij për çështjet e Lindjes së Mesme.
Sipas raportit, struktura e re financiare mund të vlerësohet rreth 20 miliardë dollarë, ndërsa FIFA do të nxirrte në treg rreth 20 për qind të aksioneve, duke siguruar afro 4 miliardë dollarë kapital të ri.
Këto fonde do t’i jepnin organizatës më shumë mundësi për investime dhe zgjerim të aktiviteteve globale. Joshua Kushner është një nga emrat më të njohur të investimeve në sektorin e teknologjisë.
Fondi i tij, Thrive Capital, ka financuar kompani të rëndësishme të ekonomisë digjitale dhe gëzon mbështetjen e disa prej investitorëve më të fuqishëm në SHBA. Nga ana tjetër, vëllai i tij Jared drejton fondin Affinity Partners, i krijuar në vitin 2021, i cili ka qenë pjesë e disa operacioneve të mëdha financiare.
Edhe pse zyrtarisht bëhet fjalë për një marrëveshje biznesi, raporti i Financial Times ka ngritur pikëpyetje për shkak të lidhjeve familjare dhe politike.
Marrëdhënia e afërt mes Infantinos dhe Donald Trump u vu re gjatë Kupës së Botës, ku presidenti i FIFA-s u shfaq disa herë pranë kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Për këtë arsye, përfshirja e Joshua Kushner në një investim të mundshëm ka nxitur diskutime mbi konfliktin e mundshëm të interesit dhe ndikimin politik në një organizatë sportive globale.
Sipas medias britanike, projekti do t’i jepte Infantinos burime të reja financiare në një moment kur ai pritet të kërkojë një mandat të katërt në krye të FIFA-s në zgjedhjet e planifikuara për marsin e vitit të ardhshëm.
Burime të ndryshme mediatike pretendojnë se ai gëzon tashmë mbështetje të konsiderueshme për rizgjedhjen. Një hap i tillë do të ishte pa precedent për FIFA-n dhe për federatat më të mëdha sportive ndërkombëtare.
Megjithatë, hyrja e kapitalit privat në sport nuk është diçka e re. Në Itali, Serie A po punon për shitjen e një pjese të aksioneve të kompanisë që menaxhon të drejtat televizive ndërkombëtare të kampionatit. Edhe në Spanjë, La Liga ka realizuar më parë një marrëveshje të ngjashme me fondin CVC.
Por ekspertët theksojnë se këto raste kanë të bëjnë me projekte të kufizuara komerciale dhe jo me vetë organizatat sportive. Plani që po shqyrtohet për FIFA-n do të kishte një shtrirje shumë më të gjerë, pasi do të përfshinte aktivitetet ekonomike të institucionit që drejton futbollin botëror.
Kjo ngre pyetje të rëndësishme mbi modelin e funksionimit të FIFA-s. Organizata është formalisht një entitet jofitimprurës, por në vitet e fundit ka gjeneruar të ardhura rekord nga Kupat e Botës dhe kontratat tregtare.
Për kritikët, hapja ndaj fondeve private mund të ndryshojë ekuilibrin mes interesit sportiv dhe atij financiar, duke rritur ndikimin e investitorëve në vendimmarrje.
Nëse informacionet e publikuara nga Financial Times konfirmohen, FIFA mund të hyjë në një epokë të re, ku kufijtë mes sportit, financave dhe politikës bëhen edhe më të paqartë.
Përkrahësit e planit e shohin atë si një mundësi për të siguruar burime të reja zhvillimi, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se shitja, edhe e një pakice aksionesh, mund të shënojë një ndryshim historik në mënyrën se si administrohet futbolli botëror. \tesheshi







