Florent Hasani: Jam duke stërvitur individualisht, kemi pranuar zbritjen e pagave

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Florent Hasani thotë se po vazhdon të punojë individualisht që të mbajë formën e duhur.

Hasani zbuloi se ka një plan të stërvitjeve të cilit po i përmbahet, përcjell Blic.

“Për rreth 1 muaj që janë pezulluar garat, po e shfrytezojë fushën për të stërvitur individualisht, po qëndroj gjatë gjithë kohës në shtëpi, pasi po duhet kujdes”, tha fillimisht Hasani për NIN.

“Kemi një plan ushtrimi në kushtet që i kemi në shtëpi, por unë po e shfrytëzojë akademinë e klubit, pasi nuk ka kufizim të lëvizjes. Plani përbëhet me ushtrime fitnesi me pesha dhe pa pesha, si dhe me vrapime në fushë”.

Më pas, futbollisti i Diosgyor theksoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë pranuar uljen e pagës në 30%.

“Po ne po paguhemi, por kemi pranuar zbritjen e pagave për 30%. Kemi pranuar këtë zbritje, por kur të fillon sezoni do të rikthehemi tek pagat e plota”, vazhdoi ai.

Në fund, Hasani theksoi se kampionati hungarez mund të startojë në muajin maj.

“Me 10 maj mund të fillojmë të stërvitemi, ndërsa me 23 maj të startojë kampionati, me ndeshjet që mund të luhen të merkurën dhe të shtunën”, përfundoi ai.