Ftoi përmban më shumë vitaminë C se limoni dhe është ideal për mushkëritë

Ftoi konsiderohet si një nga frutat më të shëndetshëm në botë.

Ftoi përmban një bollëk vitaminash, dhe është përdorur në mjekësinë popullore për dekada të tëra. Përdoret kryesisht për të lehtësuar kollën dhe për të qetësuar shqetësimet e stomakut.

Falë taninës dhe mukusit, ftoi ka një efekt të dobishëm në punën e zorrëve dhe parandalon sëmundjet infektive. Pektina ndikon në sistemin kardiovaskular, ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe siguron mbrojtje nga rrezatimi radioaktiv.

Ftoi mund të hahet i freskët, por nuk është i këndshëm për të gjithë sepse është i ashpër, ndaj këshillohet që prej tij të bëhen lëngje, komposto dhe shurupe, të cilat janë po aq efektive në eliminimin e shumë problemeve shëndetësore.

Fruti i ftoit është i pasur me shumë vitamina dhe minerale. Ai përmban vitaminë C në sasi të mëdha, madje më shumë sesa mund të gjendet në limon, pastaj vitamina B1, B2, niacinë, karotinë, kalcium, magnez, kalium, bakër, natrium, zink, hekur, mangan, klor dhe squfur. Përveç kësaj, ai përmban proteina, fibra dietike dhe karbohidrate.

Pjesa më efektive e ftoit janë farat nga të cilat bëhet çaji, sepse kur qëndrojnë në ujë, farat lëshojnë mukozë e cila zgjidh problemet e kollës dhe pastron sistemin e frymëmarrjes. Përveç kësaj, ato përmbajnë sasi të mëdha të amigdalinës, gjegjësisht vitaminës B17, si dhe janë të pasura me yndyra, taninë, pektinë, sheqerna, emulsinë dhe protide.

Lëngu i ftoit ndihmon me kollën, astmën dhe diarrenë, ndërsa ftoi i pjekur apo i gatuar rekomandohet për personat anemikë, por edhe për trajtimin e inflamacionit të mukozës gastrike dhe të zorrëve. Mund të ndihmojë edhe me menstruacionet e rënda.