Fundoset anija me emigrantë në Tunizi, 81 të zhdukur

Të paktën 81 persona janë zhdukur pas fundosjes së një anije me emigrantë jo larg brigjeve të Tunizisë, ka konfirmuar Gjysmëhëna e Kuqe e Tunizisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe, El-Munci Selim, për AA tha se anija, në të cilën ishin 86 emigrantë, u fundos të mërkurën.

Ai konfirmoi se ekipet e Rojes bregdetare shpëtuan 5 persona, shtetas të Bregut të Fildishtë dhe Malit ndërsa në anije ndodheshin dhe 7 gra.

Bregu juglindor i Tunizisë është ndalesa për qindra emigrantë të paregjistruar, të cilët në këtë mënyrë duan të arrijnë në ishullin italian Lampedusa. Shpesh herë janë në shënjestër të kontrabandistëve dhe një numër i madh i njerëzve kanë humbur jetën duke u përpjekur të kalojnë nëpër shkretëtirë dhe përmes detit për të arritur në ndonjë vend evropian.