Ballina Artikuj Fuqia e faljes dhe bukuria e fjalës

Fuqia e faljes dhe bukuria e fjalës

Kur Ibrahim ibn el-Mehdiun e sollën para kalifit el-Me’mun, pasi e kishin kapur, ai e përshëndeti dhe i tha: “O prijësi i besimtarëve! Ai që ka të drejtën e hakmarrjes ka të drejtë të vendosë për ndëshkimin, por falja është më afër devotshmërisë. Atij që i jepet kohë dhe tolerancë, mëkati i duket i vogël në sytë e tij. Allahu të ka bërë ty mbi çdo njeri që ka bërë mëkat, ashtu siç i ka bërë të gjithë mëkatarët më poshtë se ty. Nëse ndëshkon, e bën duke ushtruar një të drejtë që të takon; nëse fal, e bën nga bujaria jote.”

El-Me’muni i tha: “O Ibrahim! Për çështjen tënde jam këshilluar me djalin tim, Abasin, dhe me vëllanë tim, Ebu Is’hakun. Ata më këshilluan të të vrisja, por unë e pashë se pozita dhe vlera jote janë më të mëdha se faji yt. Prandaj, nuk desha të të vrisja, duke pasur parasysh të drejtën që të takon për shkak të lidhjes farefisnore.”

Ibrahimi u përgjigj: “O prijësi i besimtarëve! Ai që të këshilloi, veproi me urtësi, sipas asaj që kërkon tradita në qeverisje dhe ruajtja e pushtetit të kalifatit. Mirëpo, ti nuk pranove ta kërkoje fitoren veçse përmes asaj rruge në të cilën je mësuar të gjesh fitore: përmes faljes. Nëse ndëshkon, do të kesh të barabartin tënd; por nëse fal, askush nuk mund të krahasohet me ty. Faji im është tepër i madh që të mund të shpreh ndonjë justifikim për të, ndërsa falja e prijësit të besimtarëve është tepër madhështore që të mund të shpërblehet me falënderimin që meriton.”

El-Me’muni tha: “Me këtë justifikim, mëri nuk mbeti më në zemrën time.”

Ibrahimi shpërtheu në lot.

El-Me’muni e pyeti: “Çfarë ke?”

Ai u përgjigj: “Po pendohem që kam bërë një faj ndaj dikujt që tregohet kaq bujar në mirësitë që më bën.”

Pastaj shtoi: “O prijësi i besimtarëve! Edhe nëse faji im është aq i rëndë sa ta bëjë të ligjshëm derdhjen e gjakut tim, butësia dhe bujaria jote janë aq të mëdha, saqë më përfshijnë me faljen tënde. Për më tepër, ndërmjetësimi im mbështetet te pranimi i fajit dhe te e drejta e lidhjes farefisnore nga ana e babait. Prandaj, mos lejo që xhaxhai yt të mbetet jashtë bujarisë sate dhe të mos përfshihet nga falja jote.”

El-Me’muni i tha: “Edhe sikur e drejta që buron nga lidhja farefisnore të mos kërkonte që të të falja, përsëri do të kishe arritur atë që shpresoje, falë mënyrës së bukur me të cilën u shfajësove dhe zgjuarsisë me të cilën e paraqite kërkesën tënde.”

Pastaj urdhëroi që Ibrahimi të ulej dhe e pyeti: “Çfarë është elokuenca, o Ibrahim?”

Ai u përgjigj: “Elokuenca është që kuptimi i fjalëve të tua ta bëjë të qartë atë që synon të shprehësh.”

El-Me’muni tha: “Këto janë fjalë që meritojnë të shkruhen me ar! Me to ke shuar mllefin që mbaja në kraharor ndaj teje.”

By: ardhmëriaonline.com