Edukimi nuk është ajo që themi… por gjurma që lëmë brenda.
Në një kohë kur shtëpitë janë mbushur me zhurmë, ankth dhe shpërqendrim, nën rrënojat e përgjegjësive janë fshehur gabime që nuk duken me sy, por që e plagosin shpirtin e vogël që në djep.
Rreziku më i madh për fëmijën nuk është ngushtësia e rrethanave, por ngushtësia e vetëdijes.
Dhe meqë sira (jeta profetike) nuk erdhi thjesht për t’u rrëfyer, por për të udhëzuar rrugët e jetës, sot do të zbulojmë se si ajo ishte udhëzim edukativ që na shpëton nga gabime që i mendojmë të zakonshme… ndërkohë që në të vërtetë janë krime edukative të heshtura.
Jo çdo plagë shihet me sy; plagët më të rënda janë ato që godasin zemrën e fëmijës pa u dëgjuar, dhe gdhendin brenda tij ndjenjën e inferioritetit, humbjen e vlerës, ose frikën nga vetvetja dhe nga jeta.
Në vorbullën e edukimit, disa prindër – pa e kuptuar – kryejnë krime edukative të heshtura, që shkatërrojnë brendësinë para se të shfaqen jashtë, dhe rrisin një trup që ecën… por jo një shpirt që ngrihet.
Nga plagët më të rrezikshme është kur babai këmbëngul ta shndërrojë të birin në kopje të vetes.
Fëmija nuk është hije për t’u zgjatur, as fletë e bardhë për t’u riformuar sipas mangësive të babait apo ëndrrave të tij të shtyra.
Pejgamberi (a.s.) na mësoi se udhëheqja edukative fillon me zbulimin e specifikave që ka secili individ.
Ai e shihte secilin me gjurmën e vet, dhe për çdo sahab kishte një portë force të ndryshme:
Për Zejd ibn Thabitin tha: “Më i dituri prej tyre në çështjet e trashëgimisë”;
Për Halid ibn Uelidin: “Një shpatë nga shpatat e Allahut”;
Për Musab ibn Umejrin: “Nuk kam parë djalë më të bukur dhe më të butë”, pastaj e dërgoi udhëheqës në Medinë
Për Muadh ibn Xhebelin: “Më i dituri i umetit tim për hallallin dhe haramin”.
Ai nuk i ktheu në kopje të njëjta… por ai bëri dallimin e tyre dhe nxori në pah thelbin e secilit.
Plagë të tjera lindin kur ashpërsia quhet edukim, vrazhdësia autoritet, dhe zëri i lartë pushtet.
Ndërkohë që sira ishte një shkollë mëshire, pa asnjë dobësi.
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “I kam shërbyer të Dërguarit të Allahut (a.s) dhjetë vjet, dhe kurrë nuk më tha për diçka që bëra: Pse e bëre?, as për diçka që nuk e bëra: Pse nuk e bëre?”
Kjo nuk është butësi e tepruar, por udhëheqje që edukon pa thyer, dhe orienton pa poshtëruar.
Sepse mëshira nuk është dobësi… por forcë që ndërton brendinë dhe krijon një zemër të aftë për durim, ngritje dhe vendimmarrje.
Nga plagët e fshehta është edhe vrasja e kureshtjes së lindur te fëmija.
Pyetjet nuk janë bezdi… janë shenjë jete.
Në sira, Pejgamberi (a.s) ua hapte dyert e pyetjes edhe fëmijëve.
Vjen një djalosh dhe pyet për Allahun; nuk qortohet, por i përgjigjet, dhe në të gdhendet fara e mendimit dhe fillesa e besimit.
Ai (a.s) dëgjonte, buzëqeshte dhe përgjigjej, për t’i thënë çdo edukatori: edukimi i mendjes fillon me një hapësirë të sigurt për kërkim… jo me mbylljen e pyetjes.
Nga plagët që nuk shihen është edhe krahasimi i vazhdueshëm, kur fëmija kthehet në pasqyrë që krahasohet me të tjerët në çdo hap: “Pse nuk je si filani? Pse nuk sillesh si vëllai yt?”
Pejgamberi (a.s) nuk ia tha këtë kurrë asnjë sahabi. Ai e motivonte çdo shpirt sipas natyrës së vet dhe ia nguliste ndjenjën e vlerës: “Sa njeri i mirë është Abdullahu, sikur të falej natën” – motivim që e ngre vlerën, jo krahasim që e rrëzon.
Ndonjëherë edukimi shndërrohet në projekt egoist, kur prindi e rrit fëmijën për ta bërë vitrinë shoqërore, jo njeri me mision; dhe edukimi bëhet shfaqje për njerëzit, jo përgjegjësi para Allahut.
Ndërsa Pejgamberi (a.s) i edukoi bijtë e umetit për ringritjen e umetit; nuk i rriti për imazhin e tij, as për pozitën e tij, por për misionin e tyre.
Në shumë shtëpi, ndjenjat shuhen në emër të “burrërisë”. Fëmijës i thuhet: gëlltit lotët, mos qaj, bëhu i fortë.
Por në sira, Hasani dhe Husejni ishin mbi shpatullat e Pejgamberit (a.s), dhe ai i puthte. Kur Akra’ ibn Habisi u çudit, ai i tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet”.
Kështu Pejgamberi (a.s) e hodhi poshtë konceptin e burrërisë së thatë dhe e riformuloi forcën si zemër që di të mëshirojë… jo zë që ngrihet.
Plaga më e rrezikshme është kur edukimi shndërrohet në kontroll, jo në udhëheqje. Kontrolli bën që fëmija të heshtë, ndërsa udhëheqja hap horizonte. Frika mund ta bëjë fëmijën të bindur, por bindja që lind nga poshtërimi nuk është pjekuri; është vetëm përpjekje për mbijetesë.
Pejgamberi (a.s) nuk ndërtoi brez me frikë, por ndërtoi zemra që e njohin përgjegjësinë e tyre, ngrihen me vendimin e vet dhe mbajnë vlera me të cilat jeta ecën përpara, jo që prangosen prej tyre.
Edukimi nuk është pronësi… as formësim i dhunshëm, por amanet që prindi e shoqëron derisa të piqet dhe të niset.
Fëmijët nuk janë statuja që i gdhendim, por shpirtra që i zbulojmë, i ruajmë dhe i lëshojmë në rrugën për të cilën janë krijuar.
Në përmbyllje: edukimi që ngriti brezin e sahabëve ishte zemër që hap qiellin, jo pranga që palosin tokën.
Ishte fjalë që ngre, prekje që ndërton dhe vështrim që zbulon.
Pejgamberi (a.s) i formonte udhëheqësit duke parë mundësitë e tyre, jo duke ua shtuar qortimet.
Çdo shtëpi sot ka mundësinë të fillojë nga e para: të kërkojë falje pa u turpëruar, të përmirësojë pa u justifikuar, të ndryshojë pa pritur përsosmërinë.
Sepse fëmija nuk ka nevojë për prind të përsosur… por për prind të vetëdijshëm.
Dhe vetëdija fillon në çastin kur vendosim të ndalemi së përsërituri gabimet e heshtura dhe t’ia kthejmë edukimit kuptimin e tij të vërtetë: ndërtimin e një njeriu me zemër që e njeh vlerën e vet, mendje që e di rrugën e saj dhe shpirt që e njeh Zotin e vet.
Kjo është trashëgimia e vërtetë; gjithçka tjetër janë detaje që shuhen.
Autore: Reula Edib Es Sejjid
Përktheu: Elton Harxhi








