Gjashtë vende të BE-së mbyllin ‘portat’ për kontrabandën e drogës

Ministrat e Brendshëm të gjashtë vendeve të BE-së u mblodhën të hënën në Antwerp, për të diskutuar inspektimin e kontejnerëve detarë dhe aspekte të tjera të krimit të organizuar përballë trafikut ndërkombëtar të drogës në portet kryesore të Evropës Perëndimore.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser tha se “porta” të tilla për kontrabandën e drogës duhet të mbyllen.

Në takim morën pjesë edhe ministra nga Franca, Italia, Spanja, Belgjika dhe Holanda.

Në një bastisje kundër “Ndranghetës” italiane në maj, rreth 150 mafiozë të dyshuar u arrestuan në disa vende, përfshirë Gjermaninë.

Deputeti gjerman, Sebastian Fiedler tha pas bastisjes se ‘Ndrangheta’ ishte përgjegjëse për lëndët narkotike në Gjermani.

Prej disa vitesh, Belgjika ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të trafikut të drogës në Evropë. Krimi i lidhur me drogën është rritur ndjeshëm gjatë kësaj kohe.

Duke vepruar së bashku, gjashtë shtetet duan të parandalojnë kriminelët që të zhvendosin aktivitetet e tyre në një port tjetër përballë rritjes së aktiviteteve të kërkimit. /atsh