Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania kërkon nga Arabia Saudite zbardhjen e vrasjes së Khashoggit

Gjermania kërkon nga Arabia Saudite zbardhjen e vrasjes së Khashoggit

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul, ka deklaruar se ata presin që Arabia Saudite të zbardhë vrasjen e Jamal Khashoggi në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bindëse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Qendrën e Shtypit Federal në Berlin, Breul foli rreth raportit të përgatitur nga raportuesja e posaçme e OKB-së mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard, në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, duke theksuar se, “Raporti sapo ka dalë. Ju lutem na lejoni të bëjmë shpjegimin e nevojshëm pas shqyrtimit të raportit”.

Më tej Breul ka rikujtuar se Gjermania më parë e ka dënuar në mënyrë të ashpër vrasjen e Khashoggit dhe se për sauditët e dyshuar të përfshirë në vrasje kanë vendosur ndalimin për hyrjen e tyre në vend.

“Nga Arabia Saudite, presim që kjo çështje të zbardhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bindëse” deklaroi Breul.

Ndaj pyetjes nëse do të ketë apo jo ndonjë sanksion ndaj princit të Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, për çështjen në fjalë, Breul u përgjigj se mund të bëjë shpjegim rreth kësaj çështjeje pas shqyrtimit të raportit duke formuar një kontakt të ngushtë me partnerët.