Gjermania mirëpret armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit

Steffen Seibert

Gjermania ka mirëpritur armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe Hamasit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert në një deklaratë në Berlin duke iu referuar marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit tha se “Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qeveria federale kanë mirëpritur armëpushimin që hyri në fuqi të premten. Ky është një lajm i mirë. Tani kjo duhet të respektohet”.

Seibert rikujtoi se edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u ka bërë thirrje palëve për zbatimin e armëpushimit. “Më e rëndësishme tani është vazhdimi në mënyrë të shpejtë i ndihmave humanitare për popullin në Rripin e Gazës”, shtoi Seibert.

Duke vënë në dukje se duhet të punohet që palët të hyjnë në dialog dhe se problemi mund të eliminohet vetëm me një zgjidhje politike me dy shtete, Seibert, kërkoi nga palët që të marrin në konsideratë këtë objektiv.

“Fakti që situata tani është e vështirë dhe që sapo kemi përfunduar një konflikt të dhunshëm, nuk do të thotë që ne nuk do ta ndjekim më shumë objektivin. Mendimi i qeverisë gjermane është i qartë. Duhet të diskutohen arsyet e thella të këtij konflikti që nuk mund të zgjidhet prej një kohe të gjatë”, tha Seibert në pyetjen se si do të arrihet objektivi për zgjidhjen me dy shtete për shkak të politikave të Izraelit për vendbanimet. /aa