Gjoba prej gjysmë miliard euro, Komisioni Evropian gjobit 15 prodhues veturash – Mercedes shpëton pasi zbuloi “komplotin” para autoriteteve

Komisioni Evropian njoftoi sot se ka vendosur një gjobë prej rreth 458 milionë euro për 15 prodhuesit kryesorë të veturave.

Këta prodhues janë anëtarë të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve, dhe ndëshkimi ndaj tyre është vendosur për shkak të praktikës së dakorduar në lidhje me riciklimin e automjeteve në fund të jetës, njoftoi KE.

Gjatë një periudhe prej 15 vjetësh, 16 prodhues veturash, duke përfshirë Toyota, VW dhe BMW, hynë në një marrëveshje anti-konkurruese të praktikave të bashkërenduara për riciklimin e veturave, sipas një deklarate të lëshuar nga Komisioni.

Mercedes-Benz, i cili gjithashtu mori pjesë në marrëveshje, nuk u penalizua pasi zbuloi mashtrimin para Komisionit në një program lehtësimi.

Muajin e kaluar, rregullatorët antitrust të Bashkimit Evropian bastisën disa kompani dhe shoqata veturash, me dyshimin për shkelje të rregullave të kartelit.