Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjykata e Lartë izraelite, kundër kolonëve: “Janë banditë…!”

Gjykata e Lartë izraelite, kundër kolonëve: “Janë banditë…!”

Gjykata e Lartë e Izraelit i ka cilësuar kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor si “një lloj milicie”, duke u kërkuar njëkohësisht autoriteteve shtetërore të ndërhyjnë për t’i dhënë fund sulmeve ndaj palestinezëve.

Siç raporton The Times of Israel, kryetari i Gjykatës, Isaac Amit, së bashku me gjykatësit Yael Willner dhe Ruth Ronen, e kanë cilësuar dhunën e kolonëve si një “përdhosje publike të emrit të Zotit”, që shkel parimet themelore të etikës hebraike.

Qëndrimi i gjykatësve erdhi pas një peticioni të banorëve të fshatit palestinez Burqa, të përfaqësuar nga avokati Majid Hamdan.

Ata kërkuan ndërhyrje urgjente për të ndalur sulmet e vazhdueshme që gjatë muajve të fundit, janë ndërmarrë nga dy vendbanime të paligjshme kolonësh, të njohura si “Burqa 1” dhe “Burqa 2”, në afërsi të fshatit.

Padia ishte drejtuar kundër ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe gjeneralmajorit Avi Bluth, komandant i Komandës Qendrore të ushtrisë izraelite dhe përgjegjës për operacionet ushtarake në Bregun Perëndimor.

“Është e habitshme që një fenomen kaq i rëndë, i përhapur dhe i vazhdueshëm të ndodhë para syve të atyre që janë përgjegjës për ruajtjen e rendit në këtë zonë”, u shpreh kryetari i Gjykatës, Isaac Amit.

Katz, Bluth dhe zyrtarë të tjerë të ushtrisë dhe policisë janë urdhëruar të paraqesin, deri më 3 dhjetor, deklarata nën betim ku të bëjnë të ditura masat e marra deri tani dhe ato që planifikojnë të ndërmarrin për të frenuar dhunën dhe për të mbrojtur banorët e fshatit.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësit e përshkruajnë dhunën e kolonëve si një fenomen sistematik, të ushtruar nga grupe që hyjnë me forcë në shtëpitë, fshatrat dhe pemishtet e palestinezëve, i rrahin dhe i plagosin rëndë banorët, u vjedhin dhe u vrasin bagëtitë, u vënë flakën stallave të shpendëve, shkatërrojnë të mbjellat dhe pemët, si dhe ndërpresin furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Ata theksojnë se kolonët nuk mjaftohen me këto akte, por enden në oborret dhe tokat e palestinezëve me qëndrime sfiduese dhe i terrorizojnë ata në mënyra të ndryshme.

Sipas gjykatësve, këto veprime dëmtojnë rëndë imazhin ndërkombëtar të Izraelit si një shtet që respekton ligjin. Madje, në vendim thuhet se nuk do të ishte e tepruar të pohohej se veprimet e kolonëve ushqejnë antisemitizmin. \tesheshi