Gjykata Kombëtare e Spanjës ka nisur një hetim ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë izraelitë lidhur me ndalimin e paligjshëm të aktivistëve gjatë interceptimit të Flotiljes Globale Sumud, duke e kufizuar hetimin vetëm te incidentet që përfshijnë anije me flamur spanjoll, raportoi të premten gazeta El Pais, transmeton Anadolu.
Gjyqtari Francisco de Jorge pranoi paditë e paraqitura nga Partia Komuniste e Spanjës, E Majta e Bashkuar Federale dhe disa aktivistë kundër shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, dhe komandantit të Marinës izraelite, Ram Rothberg.
Paditë lidhen me interceptimin e Flotiljes Globale Sumud, e cila transportonte ndihma humanitare për në Rripin e Gazës kur u ndalua nga forcat izraelite më 1 tetor.
Sipas vendimit gjyqësor, forcat izraelite hipën në disa anije në ujërat ndërkombëtare, rreth 70 milje detare larg bregut, përfshirë edhe anije që mbanin flamurin spanjoll.
Gjyqtari tha se paditë pretendojnë se personeli izraelit mori me forcë kontrollin e anijeve, dëmtoi pronën dhe ndaloi në mënyrë të paligjshme anëtarët e ekuipazhit, përfshirë dhjetëra shtetas spanjollë.
Sipas vendimit, paditësit pretendojnë gjithashtu se të ndaluarit më pas u mbajtën në burgun izraelit Ketziot, ku iu nënshtruan torturave dhe iu mohua ndihma efektive ligjore dhe diplomatike.
Gjyqtari de Jorge i kërkoi gjithashtu Prokurorisë së Gjykatës Ndërkombëtare Penale të sqarojë nëse ndalimet e pretenduara si të paligjshme përfshihen në hetimet e saj në vazhdim për akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në territoret palestineze, ose nëse procedurat spanjolle mund të bien ndesh me këto hetime.




