Gjyqi mes Twitter dhe Elon Musk zhvillohet më 17 Tetor

Kështu Twitter ose mund të detyrojë mbylljen e marrëveshjes ose të kërkojë kompensim për thyerjen e saj.

Twitter tashmë ka një datë për fillimin e gjyqit kundër Elon Musk dhe përpjekjes së tij për tu tërhequr nga marrëveshja 44 miliardë dollarëshe për blerjen e rrjetit social.

Gjykata e Delaware ka vendosur datën 17 Tetor për fillimin e gjyqit që do të zgjasë 5 ditë deri më 21 Tetor ndërsa Twitter kishte kërkuar që gjyqi të zgjasë 4 ditë.

Aksionerët e rrjetit social do të votojnë më 13 Tetor për miratimin e marrëveshjes me Musk. Sakaq avokatët e këtij të fundit kanë kërkuar që gjyqi të zhvillohet në Shkurt të 2023 me arsyetimin se kanë nevojë për më shumë kohë të grumbullojnë dhe interpretojnë të dhënat e numrit të llogarive të rreme në platformë.

Zhvillimet e fundit qartësisht favorizojnë Twitter. Nëse ekipi ligjor i Musk nuk arrin të grumbullojë mjaftueshëm të dhëna deri në Tetor, rrjeti social mund të argumentojë se shefi i Tesla është ngutur kur ka marrë vendimin dhe se nuk posedonte mjaftueshëm informacion për akuzat që kishte ngritur.

Kështu Twitter ose mund të detyrojë mbylljen e marrëveshjes ose të kërkojë kompensim për thyerjen e saj. /PCWorld Albanian