Grabitja e bankës, si u vodhën paratë

Janë publikuar pamjet e autorëve të grabitjes së bankës në Laç, të cilët duken teksa largohen të qetë, pasi nën kërcënimin e armëve morën paratë.

Grabitësit e maskuar janë filmuar nga një qytetar, ndërsa policia ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre. Sipas policisë, pas alarmit në sallën operative, patrulla e parë ka shkuar brenda 3 minutash tek banka. Autorët kanë thyer me vare xhamin e derës kryesore të bankës, që ishte e mbyllur, ndërsa punonjësit ishin duke kryer veprime të brendshme dhe po përpunonin paratë.

Policia ngriti disa postblloqe për kapjen e autorëve, të cilët u larguan me një automjet, por pa sukses. Po ashtu, janë kontrolluar edhe disa banesa e garazhe si dhe disa persona u shoqëruan në komisariat.

Policia po kqyr të gjitha kamerat e sigurisë, ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe punonjës të bankës, pasi nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë patur bashkëpunëtorë të tjerë./Top Channel