Gruaja shqiptare dhe Ramazani

Dr. Hatixhe Ahmedi

“Gruaja është si flamuri, nëse do një dashuri ose një gjë, ajo e lëviz dhe sipas planifikimit të saj e bën të shenjtë.”
Cemil Meriç
Në thelbin e kulturës së Ramazanit gjejmë një klimë letërsie, arti, dhe ideje. Ky muaj është muaj i bereqetit në të cilin ndërron klima e ditës dhe e natës, duke e shndërruar në ibadet të gjithë veprimin, duke filluar nga leximi, mendimi, debati etj., por më thjeshtë është të themi se këto gjëra fillojnë dhe shndërrohen në tradita që vit pas viti paraqesin rëndësinë e tyre duke u bërë pjesë dhe sistem jete tek të gjithë popujt. Dalëngadalë këto tradita bëhen pjesë e pandashme e një populli, por promotori kryesor për shfaqjen, krijimin dhe vazhdimin e kësaj kulture të shenjtë është gjithmonë gruaja. Në përgjithësi, tek populli shqiptar, gruaja ka qenë esenca ose baza e gjallërisë dhe koloritit të muajit të madh të Ramazanit. Femra ishte ajo që e zgjonte mashkullin që të vetëdijësohet dhe të përgatitet për Ramazan, sepse ajo i fillonte parapërgatitjet duke filluar nga rregullimi i shtëpisë, përgatitja e ushqimit të iftarit dhe të syfyrit, përgatitja e fëmijëve ose më qartë stimulimi i tyre për muajin e bekuar. Gjatë të gjitha etapave historike dihet se femra është qendra e vëmendjes, ajo e përgatit shoqërinë që të lëvizë në binarë të drejtë ose të gabuar, prandaj femra shqiptare edhe kësaj radhe pati rolin e vet ndikues në muajin e Ramazanit, që nga kohët e lashta, me një frymëzim edhe pse meshkujt nuk e pranonin se vinte prej tyre (grave), dhe po ashtu edhe në kohët e sotme me një vënie rregulli dhe një praktike që vetëm femra shqiptare di ta aplikojë, në shtëpi, shkollë, në punë ose në publik.
Nuk duhet diskutuar se Ramazani është muaji në të cilin zbriti Kur’ani. Në Kur’an thuhet: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani”(Bekare, 185). Padyshim, ky muaj sjell edhe bereqetin e leximit të Kur’anit dhe të librave të tjerë, që në shumicën e rasteve nëse bëjmë një statistikë, mund të rezultojmë se gratë në shumicën e madhe të kohës gjatë këtij muaji lexojnë më shumë Kur’an, falin më shumë namaz dhe luten më afër dhe më shumë pranë mëshirës së Allahut të Madhëruar. Ndoshta edhe vetë krijimi i tyre si qenie e butë dhe e mëshirshme i gradon dhe i mundëson që të fitojnë shpërblime më të mëdha gjatë këtij muaji madhështor, që është mysafir për muslimanët, të cilin e quajmë edhe si “kurora e njëmbëdhjetë muajve të tjerë”. Pejgamberi a.s. rreth vlerës së këtij muaji thotë: “Sikur ta dinin robërit (njerëzit) se çfarë fshihet në muajin Ramazan, do të kishin dëshirë që i tërë viti të jetë Ramazan”. Kur Pejgamberi e thotë këtë fjalë, ka si synim sevabet që Allahu i premtoi për besimtarët që janë rigorozë dhe të betuar se do të agjërojnë përgjithmonë gjatë gjithë jetës së tyre në këtë muaj. Por që të dihet llogaritja dhe vlera e këtyre sevabeve, s’ka dyshim se çdo besimtar e besimtare ka nevojë për mësim, studim, lexim dhe vetëdijësim, e aq më shumë femra e cila në të kaluarën ishte konsideruar si një person i shkallës së dytë, ngaqë atëbotë ishte e pranishme dhe dominuese tradita për shtypjen e saj. Por, me gjithë mungesën e diturisë dhe përgatitjes së saj arsimore femra shqiptare gjatë gjithë kohës luajti një rol shumë pozitiv në pritjen, përgatitjen dhe përcjelljen e këtij muajit të shenjtë. Ishin nënat ato që përgatisnin djalin e më shumë vajzën që kur ishte e vogël, me porosinë se duhet të dilnin dhe të dëgjonin daullet tek buçisnin në kohën e iftarit, por edhe përgatitjen e iftarit dhe të syfyrit, syfyrin me brum në mënyrë që dita e nesërme të përballohej më lehtë. Kur kjo vajzë rritej, ajo asnjëherë nuk do të harronte se nëna e saj kishte përgatitur syfyrin duke gatuar nga katër e deri në pesë lakrorë për të gjithë anëtarët e shtëpisë, qoftë në verë apo dimër, rrapëllimat e okllaisë së nënës së saj do t’i kujtonin asaj se edhe kjo vetë një ditë padyshim do të duhet të përgatiste për anëtarët e shtëpisë së burrit të saj, sepse kjo traditë ishte bërë pjesë e pandashme e jetës së gruas shqiptare.
Gruaja shqiptare gjithmonë kishte trashëguar ndjenja të pastra për pritjen dhe përcjelljen e këtij muaji, ajo posedonte emocione të veçanta për këtë muaj, në ndjenjat e saj edhe më shumë thellonte ndjenjat e veta fetare për pritjen sa më madhështore të tij, edhe pse në të kaluarën nuk dinin shkrim e këndim, ishin tubimet e grave dhe vizitat e ndërsjella mes akrabave ato që i jepnin shije dhe lezet më të madh, sidomos gjatë verës kur nuk flinin deri në syfyr por edhe gjatë dimrit kur netët e gjata shoqëroheshin me biseda të gjata dhe me përgatitje të ushqimeve të ndryshme për të përballuar më lehtë agjërimin. Andaj, Allahu xh.sh. për femrat që agjërojnë ju premton se kanë përfunduar një shtyllë të besimit që është urë për kalimin e tyrë në Xhennet. Pejgamberi a.s. thotë: “Gruaja e cila i falë pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin e saj, dhe e respekton burrin e saj, në Ditën e Gjykimit do t’i thuhet: “Hyr në Xhennet, nga cila derë të duash!”.
Në ditët e sotme femra shqiptare e pret Ramazanin me leximin e Kur’anit dhe të librave të ndryshëm në duar, përfshirë libra që flasin për historinë islame, për historinë e pejgamberëve dhe libra të tjerë që frymëzojnë për Islam. Ajo madje shpeshton si gjithmonë në përmendjen e Allahut (dhikër) dhe lutjet (duatë). Kur themi këtë, nuk kemi për synim se femra duhet të fokusohet vetëm në leximin e librave fetarë, por ajo duhet të kuptojë se koha e saj është me vlerë gjatë këtij muaji, prandaj edhe duhet shfrytëzuar në leximin e literaturës së përgjithshme. Pejgameri a.s. për vlerën dhe rëndësinë e kohës së Ramazanit për agjëruesin thotë: “Heshtja e agjëruesit është sikur të përmendurit e Allahut (tesbih), gjumi i tij është adhurim (ibadet), sikur të falë namaz, puna e tij shpërblehet shumëfish, ndërsa duaja e tij është e pranuar!” Pra, çdo lutje që bën agjëruesi ose agjëruesja gjatë këtij muaji, nuk kthehet prapa.
Muaji i Ramazanit gjithmonë ka ruajtur këto veçanti duke përfshirë agjërimin, përgatitjen e ushqimit të posaçëm për iftar dhe për syfyr, ku administratorja dhe menaxherja kryesore në shtëpi ishte gjithmonë gruaja. Ajo vazhdon të mbajë të njëjtën pozitë edhe sot, gruaja është ajo e cila kurrë nuk harron se mantitë ose përgatitja e tyre është e veçantë për Ramazan, gruaja është ajo që e pastron shtëpinë nga themeli, sepse po vjen mysafiri, muaji më i dashur i Allahut. Nënat tona këtë kontribut edhe pse ndoshta jo me shkronja, por me shpirtin e tyre të pastër na e përcollën deri në zemrat tona, mbollën traditën në sofrën tonë të dashur shqiptare. Në trojet shqiptare, edhe pse në disa vende të mëdha ka filluar të aplikohet pak hapja e panaireve gjatë Ramazanit, shumë femra nuk kanë qasje në ato panaire ku shiten libra të ndryshëm me përmbajtje fetare e sidomos dedikuar muajit të madh të Ramazanit. Që nga periudha osmane e gjer më sot ruhet tradita e shëtitjes dhe përgatitjes së faljes së namazit të teravive gjatë gjithë muajit. Kjo ngase Pejgamberi a.s. na premton: “Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim (farz) agjërimin e muajit të Ramazanit, ndërsa unë ua kam bërë obligim (synet) faljen e namazit të teravive, prandaj ai i cili agjëron muajin e Ramazanit dhe i falë teravitë do të pastrohet nga gjynahet mu ashtu si dita që e ka lindur nëna e vet.”
Tradita e dytë e trashëguar nga periudha osmane është qëndrimi zgjuar gjatë tërë natës deri në syfyr, vajtja nëpër takime të ndryshme etj. Gratë në këtë rast tuboheshin nëpër shtëpi, pastaj vazhdonin dhe përgatisnin syfyrin sepse nënat dhe etërit e tyre i kishin mësuar fjalën e Pejgamberit a.s.: “Dallimi mes muslimanëve dhe jomuslimanëve është ngrënia e syfyrit”. Pas ngrënies së syfyrit e deri pas faljes së namazit të sabahut do të flinin, madje edhe deri në drekë, ndërsa zyrat administrative të periudhës osmane do të hapeshin pas dreke, por një gjë nuk duhet harruar se në periudhën e administrimit osman, koha gjatë Ramazanit kalohej me lexim, duke respektuar se gjatë këtij muaji kishin zbritur ajetet e para: “Lexo në emër të Zotit, i cili të krijoi. E krijoi njeriun nga sperma. Lexo dhe fisnikëroje Zotin tend. Atë i Cili të mësoi për lapsin (pendën). E mësoi njeriun për atë që nuk dinte.”( Alak, 1-5)
Dihet se kultura e Ramazanit nuk përkufizohet me anë të librit dhe rregullave të prera, por këtë e bëjnë të shkëlqyer kujdesi dhe mirësjellja e grave shqiptare që sjellin aromë të re të Ramazanit në shtëpi. Nuk ishte vetëm ushqimi i iftarit dhe i syfyrit që përgatisnin gratë, e që më pas këto i dallonte nga të tjerët, por më kryesore ishte ajo se në këto sofra qysh nga atëherë e deri më sot bëheshin biseda të ndryshme, jetohej një jetë e ndërthurur në një kulturë tjetër e cila përsëritej çdo motmot. Këto kishin rëndësinë dhe peshën më të madhe atëherë kur organizoheshin iftare nga institucionet dhe shoqatat vendase, e në këto organizime merrnin pjesë të diturit dhe më pas kishin përfitim edhe gratë sepse mësonin nga këshillat dhe predikimet e tyre.
Kuptohet se në tubimet e organizuara për Ramazan nuk diskutohej gjë tjetër pos: histori, qytetërim, kulturë, art, poezi dhe tema të ndryshme fetare. Me një fjalë, sofrat e Ramazanit që përgatisnin gratë shqiptare ishin sofra të përhapjes së kulturës dhe dashurisë ndërnjerëzore. Ishte e pamundur që nëpër mëhalla të mos mblidheshin çdo natë në iftar tek secili prej tyre, ndërsa për ata që nuk kishin ekzistonin vende të posaçme për ushqim, në mënyrë që të ngopej edhe barku i tyre, e ajo që nuk e la të uritur asnjëherë njeriun nuk është askush tjetër pos gruas, e cila me duart e saj të arta përgatiti ushqimin për të gjithë dhe në të gjitha periudhat kohore e sidomos gjatë festave, nuk u lodh asnjëherë sado i gjatë të ishte intervali kohor i këtyre festave. Pra, në të kaluarën gratë në Ramazan dëshmonin edhe një herë humanitetin e dyfishtë të tyre, traditë që mjerisht po humbet në ditët e sotme.
Dikur ekzistonin konaqe të cilat ishin të hapura për të gjithë. Njerëzit e njihnin njëri tjetrin dhe me ardhjen e muajit të bekuar do ta thërrisnin për iftar, ngase donin të solidarizoheshin me fjalët e Pejgamberit a.s.: “Ushqeni dikë gjatë Ramazanit, qoftë edhe me një hurmë”. Ramazani bashkë me gruan sillte edhe kulturën e afërsisë dhe të ndihmës, si dhe shkëmbimin e brengave të njerëzve mes vete. Njerëzit freskoheshin me njëri-tjetrin dhe i tejkalonin nevojat e tyre, kjo ishte dhe është një traditë shumë pozitive që gjithmonë është ruajtur me kujdes. Gratë shqiptare gjatë Ramazanit, organizonin mevlude, poemën më të kënduar në botë, sepse e dinin se koha e çmuar dhe shumëfishimi i shpërblimit të veprave gjatë këtij muaji ishin të mëdha. Këto mevlude zakonisht organizoheshin pas ngrënies së iftarit dhe faljes së namazit të teravive. Pas leximit të mevludit jepeshin ushqime të tjera speciale, që e tërhiqnin masën. Dihet se këto tubime ose tradita e tyre i kishte rrënjët nga tradita osmane, e cila vazhdon deri në ditët e sotme, dhe vlen të theksohet se është një traditë e mirë që duhet aplikuar patjetër.

Përfundim

Si e presin gratë shqiptare Ramazanin?

Siç e cituam edhe më lart, Ramazani është muaji i cili e pasuron shumë kulturën e ushqimit dhe të pijeve. Kur afrohet Ramazani, barra më e madhe bie mbi supet e gruas. Qilarët menaxhohen nga gratë, ato pyeten se çfarë duhet për Ramazan, sipas dëshirës dhe porosisë së tyre sillet ushqimi dhe pijet, ngase ato ishin dhe janë përpiluese të listës së ushqimit në shtëpi. Një rol të tillë vendimtar ato e kanë edhe gjatë Bajramit sepse kur afrohet Bajrami ato sërish përgatisin dhe janë përgjegjëse për shtëpinë dhe familjen. Kuzhiniere nuk kishte çdo shtëpi, pos të pasurve, andaj gruaja shqiptare në përgjithësi ishte administratore brenda shtëpisë. Edhe pse për gruan gjatë Ramazanit shtohej obligimi dhe angazhimi, bereqeti, rahmeti dhe mirësitë që e rrethonin atë gjatë këtij muaji i mundësonin asaj që përkrah të gjitha këtyre angazhimeve ajo sërish të ndihej e pushuar dhe të kishte lehtësi e vullnet për të vazhduar çdo ditë në të njëjtën mënyrë. Kjo padyshim është dhuratë dhe forcë që dhurohet nga i madhi Zot. Nga tradita osmane ishte transferuar dhe në traditën shqiptare që gruaja të mos e kalonte të gjithë kohën e saj në kuzhinë, por edhe ajo të shkonte dhe të falte namazin e teravive, të dëgjonte Kur’an – mukabele, çdo ditë nga 20 faqe dhe në fund të përfundonin Kur’anin (hatme), dhe të bisedonin mes vete duke u argëtuar.
Në shumicën e rasteve organizimi i leximit të Kur’anit bëhej nëpër konaqe, ose nëpër shtëpi, ku gratë mblidheshin çdo ditë dhe dëgjonin nga një xhuz (20 faqe të Kur’anit). Por në shumicën e rasteve ato do të shkonin në xhami dhe do të uleshin në vende të veçanta, pra ato do të dëgjonin leximin e Kur’anit (mukabele) nga hafizët. Këto organizime të mukabeleve (leximit) të Kur’anit, padyshim që përmirësonin dhe forconin lidhjet mes grave, i afronin ato mes vete, duke krijuar lidhje të forta dhe kulturë të re që brumosej në mendjen e tyre.
Pra me këto tubime nuk bëhej fjalë vetëm për biseda fetare, por për krijimin e një lidhje dhe vazhdimi të kulturës tradicionale për bashkim kombëtar, e cila kishte për bazë shkëmbimin e marrëdhënieve dhe mendimeve e ideve mes femrave shqiptare. Kjo ndikonte shumë pozitivisht edhe në aspektin psiko-social sepse krijohej mundësia e respektit dhe afërsisë, e posaçërisht ndihmës në të ardhmen. Ndoshta edhe sot mund të themi se kjo traditë vazhdon duke u vetmuar në shtëpi e duke ndezur televizorin për të dëgjuar Kur’an, qoftë ky zë mekanik në mënyrë direkte e qoftë me anë të cd-ve por kjo nuk paraqet ndjenjën e afërsisë dhe bashkimit kombëtar, por thjesht ndjenjën e vetmisë ose të lidhurit dhe qëndrimit në një vend dhe shkëputja e marrëdhënieve me botën. Prandaj, ardhja ose mbledhja e grave në xhami ose nëpër vende të ndryshme tubimi të sigurta, nëpër shtëpi ku organizohen mevlude etj., paraqet një bashkim dhe komunikim të pastër kombëtar, forcim të ndjenjave të afrimit dhe stabilizimit e forcimit të shtyllës së shoqërisë – femrës dhe gjeneratave që ajo edukon, që në realitet janë mesazhi ynë i ardhshëm.

Literatura e konsultuar:

Kur’ani shqip, Haxhi Sherif Ahmeti, bot. Shkup, viti: 1988.
Sahihul Buhari, Kajro, 1992.
Sahihul Muslim, Liban, 1998.
Sunen Ebi Davud, Bejrut, 1999.
Xhamius-sagir, Kajro 1982.
Ahmet Yilmaz: “Osmanlida kadin” – Stamboll, 1990.