Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Guterres: Vetëm libanezët mund t’i zgjidhin problemet e Libanit

Guterres: Vetëm libanezët mund t’i zgjidhin problemet e Libanit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se vetëm libanezët mund t’i zgjidhin problemet e Libanit, i cili ndodhet në një situatë shumë të vështirë dhe që ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për ta kaluar atë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres dje në Bejrut mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me kryetarin e parlamentit libanez, Nabih Berri, si pjesë e takimeve të tij në Bejrut.

“Vetëm libanezët mund t’i zgjidhin problemet e Libanit. Por dua të theksoj gjithashtu mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për të kapërcyer situatën aktuale shumë të vështirë në Liban”, tha Guterres.

Duke kujtuar se OKB-ja është në solidaritet me popullin libanez në këtë proces të vështirë, Guterres deklaroi: “Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të mobilizuar komunitetin ndërkombëtar në mbështetje të Libanit. (Libani) Ka nevojë për mbështetje humanitare për rimëkëmbje zhvillimore dhe ekonomike”.

Guterres tha se situatën dhe zhvillimet atje i kanë diskutuar me kryeparlamentarin Berri dhe forcat ushtarake të OKB-së që shërbejnë në kufirin Liban-Izrael në jug të vendit.

“Të gjitha shkeljet e armëpushimit duhet të ndalen. Kryetari i Kuvendit përmendi veçanërisht shkeljet e hapësirës ajrore libaneze dhe zbatimin e plotë të rezolutës së KS të OKB-së”, theksoi Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së gjithashtu theksoi se para takimit me Berrin, ai vizitoi Portin e Bejrutit ku ndodhi shpërthimi i madh më 4 gusht 2020 dhe ku sipas tij dëshironte të përkujtonte ata që humbën jetën në shpërthim dhe të solidarizohet me të afërmit e tyre dhe të plagosurit.

“Në këtë tragjedi, unë e kuptoj shumë mirë dëshirën e familjeve për të ditur të vërtetën dhe për të ndjekur një hetim transparent”, tha Guterres.

Kryeparlamentari libanez përmendi shkeljet e Izraelit

Kryeparlamentari Berri deklaroi gjithashtu se ka folur për aktivitetet e kërkimit të naftës dhe gazit natyror në zonën detare të kontestuar mes Izraelit dhe Libanit, pengesat përpara kësaj dhe shkeljet e kryera nga Izraeli me avionët luftarakë.

Berri tha se negociatat për kufirin detar u zhvilluan nën ombrellën e OKB-së dhe në prani të SHBA-së, por sipas tij vonesa e negociatave ndikoi në ekonominë e tyre dhe vështirësoi përballimin e krizës aktuale.

Përveç kësaj, Berri tha se Izraeli shkel hapësirën ajrore libaneze çdo ditë dhe madje përdor hapësirën e tij ajrore për të sulmuar Sirinë. /aa