Ballina Lajmet Kosovë Haradinaj: Falënderoj protestuesit për kulturën e treguar

Haradinaj: Falënderoj protestuesit për kulturën e treguar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka falënderuar protestuesit e sotëm për kulturën qytetare të treguar gjatë protestës së organizuar nga Vetëvendosje.

Protesta e mbajtur sot në qendër të Prishtinës kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë ka kaluar pa incidente, njofton Klan Kosova.

Haradinaj ka thënë se e përshëndetë protestën e qytetarëve për çështje të rëndësishme për Kosovën.

“Përshëndes shprehjen e shqetësimit të një numri kaq të respektueshëm të qytetarëve të Kosovës për çështje që janë jetike për të ardhmen e vendit”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Kreu i qeverisë ndodhet ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku ka thënë se kufijtë e Kosovës duhet të mbeten po ata të 17 shkurtit 2008, njofton Klan Kosova.

“Unë këto ditë në Amerikë kam përçuar porosinë e popullit të Kosovës se kufijtë e Kosovës janë ata të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe se e ardhmja e Kosovës nuk do të ndërtohet duke cenuar sovranitetin e saj me kompromise territoriale”.