Haradinaj i OVL-UÇK: Punë e madhe që janë vrarë njerëzit e LDK-së

Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së dhe analisti Imer Mushkolaj, duke folur për Gjykatën Speciale, kanë debatuar ashpër për vrasjet e pasluftës.

Në emisionin “Debat D Plus” në RTv Dukagjini, Haradinaj ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e kompetencave Gjykatës Speciale.

Aanalisti Imer Mushkolaj ka thënë se tash e 18 vjet askush nuk është marrë me vrasjet politike të kryera pas luftës.

Ndërsa, Haradinaj ka kundërshtuar kualifikimin e vrasjeve si politike, pa u përckatuar një gjë e tillë nga organet e drejtësisë.

Mushkolaj me tej ka pyetur se pse shumica e vrasjeve që janë bërë kanë qenë ndaj anëtarëve të LDK-së, duke shtuar se këto janë vrasje politike.

Ndërkaq, Haradinaj ka thënë “punë e madhe që janë vra të LDK-së. Politike koka, a? Pse politike. Hala s’është cilësu”.

Në insistimin e Mushkolajt se krejt këto vrasje janë politike dhe gjykata duhet të merret me to, Haradinaj ka thënë se “Nuk them mos me u marr. Ku po e din t’i që kanë qenë politike? Po i jap një krah. A munden me kanë politike brenda sojit të vet?”.