Fillon në Arabinë Saudite Haxhi më i madh në histori

Haxhi ka filluar teksa turmat e muslimanëve të veshur me rroba të bardha rrethojnë Qabenë, godinën në formë kubi në epiqendrën e vendit më të shenjtë të Islamit me lutjet e tyre që kumbojnë në ajër.

Haxhi filloi të dielën në Mekë të Arabisë Saudite me tavafin, rrotullimin e Qabes, në një ngjarje që pritet të thyejë rekordet e pjesëmarrjes.

“Këtë vit do të jemi dëshmitarë të Haxhit më të madh në histori”, tha një zyrtar në Ministrinë Saudite të Haxhit dhe Umres.

Më shumë se 2.5 milionë myslimanë pritet të marrin pjesë, pasi kufizimet e pandemisë së koronavirusit në fuqi që nga viti 2020 janë larguar plotësisht.

Atë vit, vetëm 10,000 njerëz u lejuan të merrnin pjesë; 59,000 në 2021; dhe vitin e kaluar kishte një numër prej një milion njerëzish.

Haxhi i këtij viti është një sfidë, duke u zhvilluar në nxehtësinë gati 45 gradë Celsius.

Autoritetet saudite thanë se më shumë se 32,000 punonjës shëndetësorë dhe mijëra ambulanca janë në gatishmëri për të trajtuar rastet e goditjes nga nxehtësia, dehidratimi dhe rraskapitja.

Këtë vit, Haxhi mbahet nga data 26 qershor deri më 1 korrik, me festën e Kurban Bajramit më 28 qershor. /mesazhi