Ballina Lajmet Kosovë Haxhiu dënon gjuhën fyese të deputetit Geci: Kuvendi s’do të kthehet në...

Haxhiu dënon gjuhën fyese të deputetit Geci: Kuvendi s’do të kthehet në arenë përplasjesh

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Guxo, Fatos Geci, duke i cilësuar ato si fyese dhe të papranueshme.

Ajo theksoi se nuk do të tolerojë që gjuha e përdorur në institucionin më të lartë legjislativ të degradojë në fyerje apo sulme personale. Sipas saj, Kuvendi duhet të mbetet hapësirë debati demokratik dhe respekti.

Haxhiu bëri të ditur se i ka tërhequr vërejtjen deputetit Geci dhe nuk i ka lejuar të drejtën e replikës gjatë seancës, si pasojë e gjuhës së përdorur. Ajo shtoi se deklaratat e tilla janë përçarëse dhe dëmtojnë vlerat për të cilat është ndërtuar shteti.

Po ashtu, ajo dënoi edhe gjuhën seksiste të drejtuar ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku, duke theksuar se sulmet ndaj grave në politikë janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen.

Reagimi i saj vjen pasi deputeti Geci, ndër të tjera, kishte bërë deklarata të rënda edhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Hagë.