Hierro ndihet fajtor për eliminim e Spanjës

Kombëtarja “La Roja”, është përshëndetur shumë herët nga Botërori.

Pak kush ka pritur që Spanja do të pësonte nga Rusia dhe do të eliminohej në 1/8 e finales në Kampionatin Botëror.

Por, ja që rusët u treguan më gjakftohtë gjatë ekzekutimit të penalltive dhe nxorën jashtë njërin prej favoritëve për ta fituar sivjet Botërorin.

Trajneri Fernando Hierro, ka marrë përsipër fajin për eliminimin, duke lavdëruar lojtarët për angazhim në këtë sfidë.

“Nëse ka përgjegjës, ai jam unë. Jam trajneri dhe duhet të marr të gjitha përgjegjësitë për atë që ka ndodhur. Ky nuk është momenti për të folur për të ardhmen time, nuk ka asnjë rëndësi”, ka thënë Hierro.

“Ndiejmë dhimbje të madhe, sepse kishim ardhur në Rusi për të bërë gjëra të mëdha. Nuk e prisnim eliminimin. Më vjen shumë keq për futbollistët, sepse dhanë shpirtin, për të fituar këtë takim”.