Hykmete Bajrami ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo ka thënë se dorëheqjen ia ka kërkuar edhe kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Bajrami ka thënë se këtë e ka bërë në bazë të standardit të vendosur nga kjo parti.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se sfida për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të një parti politike.
Bajrami ka thënë se pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit organet e partisë kanë humbur legjitimitetin.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, ka shkruar Bajrami.








