IBN KHALDUNI*

Ibn Khalduni është figura më e rëndësishme në fushën e historisë dhe sociologjisë në historinë islame. Ai është një nga yjet ndriçues që dha një kontribut të madh në kuptimin e qytetërimit. Në mënyrë që dikush të kuptojë dhe vlerësojë punën e tij, duhet që së pari të kuptojë jetën e tij. Ai jetoi një jetë në kërkim të qëndrueshmërisë dhe ndikimit. Ai vjen nga një familje dijetarësh dhe politikanësh dhe ka pasur për qëllim që të jetojë në të dy fushat e pritura. Ai do të kishte sukses në fushën e diturisë më shumë se në çdo fushë tjetër.

FËMIJËRIA E TIJ

Ai është Abdurahman bin Muhamed bin Muhamed bin Muhamed bin Al-Hasan bin Xhabir bin Muhamed bin Ibrahim bin Abdurahman bin Ibn Khaldun. Prejardhja sipas tij e ka origjinën nga Hadramuti, në Jemen. Ai gjithashtu gjurmoi prejardhjen e tij nëpërmjet një gjenealogjie tjetër të plotësuar nga Ibn Hazmi duke përdorur gjyshin e tij i cili ishte i pari që hyri në Andaluzi, deri te Vail ibn Hazm, një nga fiset më të vjetra të Jemenit. Në të dyja rastet, gjeneologjia tregon për origjinën e tij arabe megjithëse dijetarët dyshojnë për vërtetësinë e të dy raporteve për shkak të klimës politike në kohën e këtyre raporteve.1

Ibn Khalduni u lind në Tunizi, më 1 Ramazan 732 (27 maj 1332).2 Ai mori një edukim tradicional që ishte tipike për rangun dhe gjendjen e familjes së tij. Ai mësoi në fillim në duart e babait të vet, që ishte një njeri i ditur dhe nuk ishte i përzier në politikë si paraardhësit e tij. Ai e mësoi Kur’anin përmendsh, mësoi gramatikë, jurisprudencë, hadith, retorikë, filologji dhe poezi. Ai kishte arritur një nivel të caktuar profesionaliteti në këto fusha, dhe mori certifikatë për këto. Në autobiografinë e tij, ai përmend emrat e këtyre dijetarëve.3

Ai i vazhdoi studimet deri në moshën 19 vjeç kur murtaja e madhe do të përfshinte vendin që nga Samarkanda gjer në Mauritani. Ishte mbas kësaj murtaje që Ibn Khalduni do të merrte detyrën e tij të parë publike.4 Kjo do të fillonte karrierën e tij politike që do ta ndryshonte përgjithmonë jetën e tij.

NË TUNIZI DHE MAROK

Ibn Tafrakin, sundimtari i Tunizisë, e thirri Ibn Khaldunin për t’u bërë mbajtësi i vulës së sulltanit të tij të burgosur Ebu Ishak. Këtu Ibn Khalduni do të kishte vështrimin e parë në punët e brendshme të politikës dhe dobësisë së qeverisë. Kjo nuk do të ndodhte shumë kohë përpara se ai të kishte mundësinë për të lënë Tunizinë.5

Në vitin 1352 (713 hixhri) Ebu Ziad, emiri i Kostandinopojës, nisi forcat e tij në Tunizi. Ibn Khalduni e shoqëroi Ibn Tafrakin me forcat që do të shmangnin sulmet e Ebu Ziadit. Tunizia u mposht dhe Ibn Khalduni iku në Aba, ku jetoi me el-Muhidinin. Ai do të lëvizte nëpër të gjithë Algjerinë dhe do të vendosej në Biskra.6

Në të njëjtën kohë në Marok sulltani Ebu Enan, që kohët e fundit ishte vendosur në fronin e babait të tij, ishte në rrugën e tij për të pushtuar Algjerinë. Ibn Khalduni do të udhëtonte në Tlemcen për të takuar sulltanin. Ibn Khalduni përmend se sulltani e nderoi atë dhe e dërgoi me oborrtarin e tij Ibn Ebi Amr në Bougie për të dëshmuar nënshtrimin e tij ndaj sulltanit Ebu Enan.7

Ibn Khalduni do të qëndronte në shoqërinë e oborrtarit ndërsa sulltani lëvizi në kryeqytet, Fez. Në vitin 1354 (755 hixhri) Ibn Khalduni do të pranonte ftesën për t’iu bashkuar këshillit të ulemave dhe do të lëvizte në Fez. Në njëfarë mënyre ai do të nxitej në detyrën e mbajtësit të vulës dhe do ta pranonte atë me hezitim, sepse ishte inferiore nga pozitat që paraardhësit e tij kishin zënë.8

Ibn Khalduni do të shfrytëzonte qëndrimin e tij në Fez për të vazhduar studimet. Në këtë kohë Fezi ishte kryeqyteti i Marokut dhe gëzonte shoqërinë e shumë dijetarëve nga e gjithë Afrika Veriore dhe Andaluzia. Ai gjithashtu ngrihej në detyrë nga një pozitë në një tjetër.9

Ibn Khalduni ishte një i ri ambicioz dhe në këtë pikë të jetës së tij, ai do të fillonte të angazhohej në politikë. Më pas, Ibn Khalduni bëri konspiracion me Ebu Abdullah Muhamedin, sundimtarin e rrëzuar të Bougie i cili ishte burgosur në Fez gjatë asaj kohe. Ebu Abdullah është nga fisi Benu Hafs të cilët ishin përkrahës të familjes së Ibn Khaldunit.10

Sulltani Ebu Enan do të zbulonte konspiracionin dhe do të burgoste Ibn Khaldunin. Ebu Abdullah do të lirohej nga burgu ndërsa Ibn Khalduni do të qëndronte brenda edhe për dy vjet. Sulltani Ebu Enan do të sëmurej dhe vdiste përpara se të përmbushte premtimin e tij për të liruar Ibn Khaldunin. Veziri Al-Hasan ibn Umer urdhëroi lirimin e Ibn Khaldunit i cili u rivendos në ish-pozicionin e tij.11

IKJA NGA MAROKU NË SPANJË

Klima politike ishte e tensionuar dhe Ibn Khalduni do të provonte përsëri fatin dhe konspiracionin e tij kundër vezirit al-Mansur.12 Kjo besnikëri do të ishte gjithashtu jetëshkurtër. Ai do të konspironte me sulltanin Ebu Salem i cili do të përmbyste al-Mansurin. Ibn Khalduni do të merrte pozicionin e sekretarit dhe të vendruajtjes së besimit të tij (Amin as-Sir).13

Këtu Ibn Khalduni do të shkëlqente në pozitën e tij dhe do të krijonte shumë vjersha. Ai do ta zinte këtë pozitë për dy vjet të tjera dhe më pas do të emërohej si kryeprokuror. Ai do të shfaqte aftësi të mëdha në këtë pozitë. Mirëpo për shkak të rivalitetit të vazhdueshëm ndërmjet tij dhe zyrtarëve të lartë ai do të humbiste simpatinë e sulltanit.14

Megjithatë kjo nuk do të kishte rëndësi sepse një revoltë do të zinte vend dhe sulltani Ebu Salem do të përmbysej nga veziri Umer. Ibn Khalduni do të mbante anën e fituesve dhe do të merrte pozitën e tij me një pagesë më të lartë. Ibn Khalduni ishte ambicioz si kurrë më parë dhe dëshironte një pozitë më të lartë, domethënë atë të oborrtarit. Për arsye të panjohura, ndoshta ngaqë nuk ishte i besueshëm, ai u refuzua. Kjo e shqetësoi atë mjaftueshëm për të dhënë dorëheqjen nga pozita e tij. Kjo nga ana tjetër e shqetësoi edhe vezirin. Ibn Khalduni do të kërkonte të lërë Fezin dhe të shkonte në Tunizi por kjo kërkesë do të refuzohej. Atëherë ai do t’i kërkonte dhëndrrit të vezirit të ndërhynte si përfaqësues i tij për t’u lejuar të shkonte në Andaluzi.15

NGA SPANJA NË TUNIZI

Sulltani Muhamed al-Ahmar, mbreti i Granadës, ishte hequr nga vëllai i tij Ismaili i cili kishte përkrahjen e kunatit të tij. Sulltan Muhamedi ishte shok i sulltanit Ebu Salem i cili e ndihmoi atë kur ai ishte përzënë në Andaluzi nga sulltani Ebu Enan. Kur sulltani Ebu Enan vdiq dhe sulltani Ebu Salem u bë sundues ajo shoqëri u rindez përsëri. Pastaj, kur Ismail al-Ahmari u shpall mbret i Granadës mbas një revolte, sulltan Muhamedi u strehua në Marok me sulltanin Ebu Salem. Ata u mirëpritën me entuziazëm të madh, dhe Ibn Khalduni ishte i pranishëm në ato festime. Midis partisë së sulltan Muhamedit ishte dhe veziri i tij i urtë Ibn al-Khatib i cili krijoi një shoqëri të ngushtë me Ibn Khaldunin.16

Sulltan Muhamedi do të përpiqet të rivendosë fronin e tij në Granda nëpërmjet një marrëveshje me mizorin Pedro, mbretin e Kastiljes. Pedro do të vonojë zbatimin e marrëveshjes me dëgjimin e vdekjes së sulltanit Ebu Salem. Sulltan Muhamedi do t’i bëjë thirrje Ibn Khaldunit për të marrë ndihmë nga veziri Umer. Ibn Khalduni do të përdorë ndikimin e tij për ta ndihmuar atë. Më pas, Ibn Khaldunit iu besua të kujdeset për familjen e sulltan Muhamedit në Fez. Veziri do t’i dhurojë sulltan Muhamedit Rondan dhe vendin përreth. Sulltan Muhamedi do të vazhdojë përpjekjet e tij për të rimarë fronin në vitin 1361 (763 hixhri). Ai do të thërrasë vezirin e tij Ibn al-Khatib.17

Kur marrëdhënia ndërmjet Ibn Khaldunit do të prishet ai do të kthehet i pasigurtë drejt Andaluzisë. Atje do të mirëpritet dhe nderohet nga sulltan Muhamedi i cili e pranoi atë në këshillin e tij privat. Në vitin pasues sulltan Muhamedi do ta dërgojë Ibn Khaldunin në një mision ambasadorial tek Pedro, mbreti i Kastiljas. Ibn Khalduni paqësisht do të përfundojë disa marrëdhënie ndërmjet tyre. Pedro do t’i ofrojë Ibn Khaldunit një pozitë në shërbim të tij dhe t’i kthejë atij ish-pronat e familjes së tij në Kastilje. Ibn Khalduni do ta refuzojë ofertën.18

Mbas kthimit të tij nga Kastilja, Ibn Khalduni do t’i ofrojë sulltanit dhuratat e Pedros për të dhe si shpërblim, sulltani do t’i jepte atij fshatin Elvira. Së shpejti Ibn Khalduni dhe një herë do të shqetësohet dhe në vitin tjetër, ai do të marrë një ftesë nga shoku i tij Ebu Abdullah, i cili kishte rimarrë fronin e tij në Bougie. Ibn Khalduni e la Granadën në vitin 1364 (766 hixhri) për të shkuar në Bougie mbasi kërkoi leje për t’u larguar nga sulltan Muhamedi.19

AVENTURAT NË AFRIKËN E VERIUT

Ibn Khalduni do të arrijë në Bougie në moshën 32 vjeçare. Planet e tij më në fund ishin realizuar. Periudha e burgosjes në Fez nuk shkoi kot. Ai do të hyjë në qytet si mysafir i preferuar. Ai do të pranojë pozitën e Hajib për Emirin Muhamed. Kjo jetë me pushtet nuk do të zgjasë shumë pasi në vitin tjetër Abul Abasi do të vrasë Emirin Muhamed, kushëririn e tij. Ibn Khalduni i dorëzon qytetin atij dhe largohet për në qytetin e Biskras. Ai do të vazhdonte punën e tij politike për kthimin e fiseve në shërbim të këtij emiri apo atij sulltani. Ai do të vazhdonte zakonin e tij në ndryshimin e besnikërive sipas kohës dhe mundësive që i ofroheshin. Ai së fundmi do të tërhiqej në një zonë të largët në jug të Konstantinës, në fortesën Salama.20

Në fortesën Salama ai do të shijojë një jetë të qetë dhe do të fillojë të shkruajë Mukaddiman e tij të famshme dhe versionin e parë të historisë së tij universale në moshën 45 vjeç.21

Ai do t’ia dedikojë punën e tij emirit aktual të Konstantinës, sulltanit Abul Abas. Qetësia nuk zgjati shumë me Ibn Khaldunin, meqë atij i duheshin më shumë referenca pune të cilat nuk ishin të disponueshme në këtë zonë të largët. Ai shfrytëzoi rastin e pushtimit të Tunizisë nga Abul Abasi për të shkuar në Tunizi. Kjo do të ishte hera e parë që ai do të kthehej në qytetin e lindjes që nga koha kur ai u largua 27 vjet më parë.22

Atje do të kishte forca politike që punonin sërisht kundër tij dhe kësaj here pa humbur rast ai përdori një rast të volitshëm në vitin 1382 për të lënë Afrikën Veriore dhe për të mos u kthyer më kurrë.23

NË EGJIPT

Ibn Khaldunit i ishte dhënë leje nga sulltani Abul Abasi për të shkuar në haxh. Ai arriti në Aleksandri në tetor të vitit 1382 (15 shaban 784 hixhri) në moshën 50 vjeç. Atij iu desh një muaj për t’u përgatitur për haxh por nuk ishte i aftë për t’iu bashkuar karvanit për në vendet e shenjta. Ai u kthye drejt Kairos. Këtu ai do të jetonte ditët e tij të fundit. Ai u mirëprit ngrohtësisht nga dijetarë dhe studentë të ndryshëm. Fama e tij për shkrimet e tij tashmë i kishte paraprirë atij. Ai dha mësim në Al-Azhar dhe shkolla të tjera. Ai do të kishte mundësinë për t’u takuar me sulltanin az-Zahir Barkuk i cili do ta caktonte atë për të dhënë mësim në shkollën Kamhiah.24

Ai do të shijonte favoret e sulltanit. Ai do të caktohej si gjykatës malikit në tekat dhe inatet e sulltanit. Ai do të paguhej mirë dhe do të përpiqej të luftonte korrupsionin dhe favorizimet. Përsëri komplotet kundër tij do të pengojnë rrugën e tij dhe ai do të largohet nga kjo detyrë. Largimi i tij nga detyra do të përkojë me fatkeqësinë e familjes së tij. Anija e cila mbante familjen dhe pasuritë e tij do të fundosej në një stuhi.25

Atëherë ai do të merrte leje për të shkuar për pelegrinazh në tokat e shenjta. Pas kthimit ai do të pritej dhe do të caktohej në pozitën e mësuesit në shkollën e sapondërtuar (Bein al-Kasrein). Ai do të jepte mësim në hadith, veçanërisht Muvattan e Imam Malikut. Pastaj ai do të caktohej në Institutin e Berberëve Sufi me një rrogë të bollshme. Gjendja e çështjeve të Egjiptit do të shqetësohej sepse një rival i sulltanit Barkuk, Julbugha do të organizojë një revoltë të sukseshme. Sulltani Barkuk do të vërë në skenë një revoltë tjetër dhe do të rivendoset në ish-fronin e tij. Ibn Khalduni gjatë kësaj periudhe do të vuajë, dhe do ta rimarrë pozicionin e tij me kthimin në fuqi të fituesit sulltan Barkuki.26

Gjatë kësaj periudhe Ibn Khalduni do t’ia kushtojë kohën e tij dhënies mësim dhe studimit si vali për të përfunduar historinë e tij universale. Mbas revoltës së Julbughas, ai do të shkruante rreth Asabijah dhe rolin e tij në ngritjen dhe rënien e shteteve. Ai do ta aplikojë teorinë e tij në teatrin e Egjiptit që nga koha e Salahudinit.27

Mbas 14 vjetësh që nga lënia e pozitës së kryeprokurorit malikit Ibn Khalduni do të caktohet përsëri në pozitë mbas vdekjes së gjykatësit suprem. Shteti do të kalonte përsëri në shkatërrim me vdekjen e sulltanit Barkuk dhe vendosjen e djalit të tij. Ibn Khalduni nuk do të bëhej pjesë e këtyre revoltave dhe do të kërkonte leje për të vizituar Jeruzalemin. Ai do t’i bashkohej karvanit të sulltanit Faraxh në rrugën e tij për në Damask. Përsëri për shkak të intrigave politike ai do të pushohej nga detyra e tij si gjykatës për herë të dytë. Kjo nuk do të ishte problem sepse ai do të thirrej për të shoqëruar sulltanin në një udhëtim të rrezikshëm për në Damask.28

TAKIMI ME TAMERLANE

Gjatë qëndrimit të Ibn Khaldunit në Egjipt atij do t’i kërkohet nga sulltani Faraxh i Egjiptit që ta shoqërojë atë në ekspeditën e tij në Damask. Raportet e lajmeve kanë pohuar lëvizjen e grupimit luftarak të Tamerlane drejt Damaskut. Sulltani Faraxh me ushtrinë e tij po shkonin drejt Damaskut. Mesa duket Ibn Khaldunit i ishte kërkuar me ngulm që të shoqëronte sulltanin në Damask.29

Sulltani do të qëndronte vetëm për dy javë në Damask, pasi ai duhej të kthehej për shkak të zërave të një revolte që do të zhvillohej në Kairo. Ibn Khalduni dhe disa njerëz të shquar u lanë në Damask. Tani varej nga drejtuesit e Damaskut që të merreshin me Tamerlane. Ibn Khalduni u sugjeroi atyre që të merrnin parasysh kushtet e Tamerlane. Ishte detyra e një kadiu tjetër, Ibn Muflih, për të diskutuar kushtet me Tamerlane. Kur Ibn Muflih u kthye nga kampi i Tamerlane, kushtet nuk u pranuan nga banorët e Damaskut.30

Pasi që ishte sugjerimi i Ibn Khaldunit për të arritur kushtet me Tamerlane, Ibn Khalduni u ndje i detyruar të takohej personalisht me Tamerlane. Ibn Khalduni do të linte Damaskun dhe do të shkonte tek kampi i Tamerlanit. Është e paqartë nëse ai shkoi vetëm apo në mënyrë zyrtare. Ibn Khalduni mori disa dhurata me vete për Tamerlane dhe ato u mirëpritën. Ibn Khalduni do të qëndronte në kampin e Tamerlanit për 35 ditë.31

Gjatë kësaj periudhe, Ibn Khalduni do të ketë shumë takime me Tamerlanin dhe ata do të bisedojnë nëpërmjet një përkthyesi, Abd al-Xhabbar al-Kharizmi (vdekur në vitin 1403). Llogaria e Ibn Khaldunit është llogaria e vetme e detajuar dhe e disponueshme. Temat të cilat ata do të diskutonin ndryshojnë dhe disa prej tyre nuk janë regjistruar. W. Fischel rreshtoi 6 çështje të veçanta rreth të cilave ata folën:

1. Për Maghribin dhe tokën e origjinës së Ibn Khaldunit

2. Për heronjtë në histori

3. Për parashikimin e gjërave që vinë

4. Për halifatit Abbasid

5. Për amnistinë dhe sigurinë e “Ibn Khaldunit dhe shokët e tij”

6. Për qëllimin e Ibn Khaldunit për të qëndruar me Tamerlanin.32

Ibn Khalduni i la shumë mbresa pushtuesit për t’i kërkuar atij që t’i bashkohet oborrit të tij. Disa biografë kanë sugjeruar se ai e ka shkruar thirrjen e tij elokuente për t’u kthyer në Egjipt për të zgjidhur çështjet e tij, të marrë librat e tij dhe familjen dhe t’i bashkohet Tamerlanit. Prapëseprapë është më shumë e mundur që Ibn Khalduni u largua me kushte të mira me Tamerlanin dhe e përmbushi misionin e tij për të nxjerrë kushte të favorshme për banorët e Damaskut.33

Fjalët e nisjes së Ibn Khaldunit japin besim në faktin se ai nuk do të kthehet në shërbim të tij:

“A ka ndonjë bujari të lënë pas, përveç asaj që ju më keni treguar tashmë? Ju më keni mbushur me favore karshi meje, më caktuat një vend në këshillin tuaj midis pasuesve tuaj të ngushtë, dhe treguat ndaj meje mirësi dhe bujari – për të cilat shpresoj se Allahu do të shpërblejë ty në të njëjtën mënyrë.”34

DITËT E FUNDIT NË EGJIPT

Pas kthimit të Ibn Khaldunit në Egjipt, ai u rivendos në postin e kadiut të malikive. Për shkak të situatës politike brenda komunitetit të kadive malikitë Ibn Khalduni do të përjashtohej dhe rivendosej tre herë gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Më në fund, ai vdiq ndërkohë që ishte në zyrën e tij ditën e mërkurë më 17 mars 1406 (25 Ramadan 808). Ai u varros në varrezat sufite jashtë Bab an-Nasr, në Kairo në moshën 74 vjeçare.35

VEPRA E MADHE LETRARE “AL-MUKADDIMAH”

Ai do të shkruajë Hyrjen e librit të tij të historisë universale në një hapësirë prej pesë muajsh.36 Ky dokument mbresëlënës është një esencë e diturisë së tij dhe përvojës së fituar me vështirësi. Ai do të përdorë njohuritë e tij politike dhe njohuritë e popullit të Magrebit për të formuluar shumë nga idetë e tij. Ky dokument do të përmbledhë idetë e Ibn Khaldunit për çdo fushë të dijes gjatë kohës së tij. Ai do të diskutojë në të mbi një sërë temash. Ai do të diskutojë histori dhe historiografi. Ai do të qortojë disa nga pretendimet historike me një llogjikë të llogaritur. Ai do të diskutojë mbi shkencat aktuale të kohës së tij. Ai do të flasë rreth astronomisë, astrologjisë dhe numerologjisë. Ai do të diskutojë mbi kiminë, alkiminë dhe magjinë në mënyrë shkencore. Ai do të ofrojë lirisht mendimet e tij dhe do t’i dokumentojë mirë “faktet” e pikëpamjeve të tjera. Diskutimi i tij për shoqëritë fisnore dhe forcat sociale do të jenë pjesa më interesante e tezës së tij. Ai do ta ndriçojë botën me një depërtim të thellë në veprat dhe bërjen e mbretërive dhe qytetërimeve. Ai do të tregojë tezën e tij se popujt e pushtuar do të imitojnë gjithmonë pushtuesin në çdo mënyrë.37 Teoria e tij rreth Asbijah (grup ndjenjash) dhe roli që ai luan në shoqëritë beduine është kuptimplotë. Teoritë e tij të shkencës Umran (sociologji) janë të gjitha perla të urtësisë. Hyrja e tij është trashëgimia e tij më e madhe që ai e la për të gjithë njerëzimin dhe brezat që vijnë.

Përktheu nga gjuha angleze:

Eni TAHIRI

Shënime mbi jetën e Ibn Khaldunit

1. Enan, Muhamed A., Ibn Khaldun: Jeta dhe vepra e tij, f. 3. Pyetjet e autorit mbi origjinën arabe të Ibn Khaldunit. Ai e pranon se vjen nga një familje me ndikim, e cila ishte aktive politikisht në çështjet e Andaluzisë. Ai gjithashtu pranon se arabët ishin ata që mbajtën pozitat autoritative ndërsa berberët ishin të parët e betejave. Kështu, ai pranon se ai është me origjinë arabe. Autori e pranon pjesërisht këtë por atë e lë në dorë të lexuesit për të supozuar kështu. Shih: f. 4-5. Enan ka ngritur dy pika për të mbështetur pretendimin e tij se Ibn Khalduni nuk është arab: njëra është se disa fise berbere përdorën identitete të rreme arabe për të fituar favore dhe poste politike, ndërsa pika e dytë janë sulmet e Ibn Khaldunit kundër arabëve në historinë e tij. Identiteti i rremë do të jetë i vlefshëm për më tepër në kohën që paraardhësit e Ibn Khaldunit largohen nga Andaluzia dhe vendosen në Tunizi ku ata nuk e ndryshuan pretendimin e tyre për origjinën arabe. Edhe në kohën kur berberët ishin në pushtet, gjatë sundimit të al-Marabatëve dhe Al-Muvahidëve, Ibn Khaldunët nuk e përdorën trashëgiminë e tyre berbere. Pika e dytë mund të jetë e drejtë nëse Ibn Khalduni sulmoi vetëm arabët, dhe arabët në përgjithësi. Ai sidoqoftë sulmoi elementet destabilizuese të cilët në rastin e tij ishin fiset arabe që ishin përdorur nga Fatimidët për të destabilizuar Magrebin. Edhe nëse dikush e kritikonte popullin e vet ajo nuk do ta bënte atë të huaj. Ibn Khalduni gjatë gjithë jetës së tij ka kërkuar stabilitet dhe fuqi për të arritur këtë stabilitet pa marrë parasysh se çfarë mund t’i kushtonte atij. Sulmet e tij mbi turmat arabe të ekzaltuara është një sulm mbi ata që do të shkaktojnë mos-stabilitet.
2. Ibid. f. 2.
3. Ibid. f. 8. Ai më vonë do të shkruajë një autobiografi të hollësishme (Ta’reef) ndërsa ndodhej në Egjipt e cila është pjesë e librit të tij “Historia Universale” Kitab al-‘Ibar ve-Divan al-Mubtada’ ve-l-Haber fi Ajjam al-‘Arab vel-‘Ajjam vel-Barbar va man ‘asarahum min dhavi as-Sultan al-Akbar. Shiko: Fischel, Walter J., Ibn Khalduni në Egjipt, 1967.
4. Ibid. f. 9.
5. Ibid. f. 10.
6. Ibid. f. 12.
7. Ibid. f. 17.
8. Ibid. f. 17.
9. Ibid. f. 18. Këtu Ibn Khalduni do të promovohet në pozitën e sekretarit dhe anëtar i këshillit të tij privat pavarësisht nga rinia e tij. Edhe pse ai ishte i trajtuar mirë kjo nuk e ndaloi atë nga komplotet kundër sulltanit.
10. Ibid. f. 19.
11. Ibid. f. 20. Ai do të shkruajë një poemë që më në fund do ta bindë sulltanin për lirimin e tij, por ai do të vdesë para se ta përmbushë premtimin për ta bërë këtë.
12. Ai është Mansur bin Sulejman, një pasardhës i Jakub ibn Abd al-Hak. Ibid. f. 20.
13. Ibid. f. 22.
14. Ibid. f. 24.
15. Ibid. f. 25-27. Veziri Umer bin Abdullah është dhëndri i sulltanit Ebu Salem, babai i tij ishte ish-vezir në gjykatën e Benu Marin. Ibn Khaldunit i ishte refuzuar leja për të shkuar në Tunizi nga frika se ai mund të takojë armiqtë e vezirit Umer në Tlemcen.
16. Ibid. f. 28-32. Sulltan Muhamedi mbeti në Fez për një kohë dhe zhvilloi marrëdhënie mjaft të ngushta me Ibn Khaldunin. Kur sulltan Muhamedi do të përpiqej për të rimarrë fronin e tij ai do ta linte Ibn Khaldunin përgjegjës për familjen e tij në Fez.
17. Ibid. f. 33.
18. Ibid. f. 34. Ai me të drejtë nuk e pranoi ofertën për kë mund t’i besonte Pedros.
19. Ibid. f. 35. Dhurata ishte një mushkë e mrekullushme me samar dhe frerë të stolisur me ar.
20. Ibid. f. 36-49.
21. Ibid. f. 51.
22. Ibid. f. 55-56.
23. Ibid. f. 57.
24. Ibid. f. 63-67.
25. Ibid. f. 69-72.
26. Ibid. f. 72-74.
27. Ibid. f. 75.
28. Ibid. f. 78-79.
29. Fischel, Walter J., Ibn Khalduni në Egjipt, 1967, f. 42.
30. Ibid. f. 44. Ibn Muflih është një kadi hanbelit i Damaskut. Ibn Khalduni përmend se Tamerlane e kishte pyetur për atë personalisht. Ibn Khalduni ishte i shtyrë në moshë në këtë periudhë dhe ishte i famshëm. Ishte gjithashtu stili i Tamerlanit për të kërkuar dijetarët kështu që emiri i tij mund të jetë përmendur si një prej atyre dijetarëve që janë në Damask. Fischal përmend se Tamerlani përdorte spiunë dhe agjentë që punonin për të gjithandej në tokat që ai do të pushtonte. Fischal gjithashtu përmend se Ibn Khalduni shkoi në mënyrë personale për t’u takuar me Tamerlane. Kjo mund të jetë kështu, ajo mund të jetë gjithashtu se udhëheqësit e Damaskut kanë kërkuar që të njihet nga Tamerlane se Ibn Khalduni është duke vepruar sipas dëshirës së tij në rast se dështon në diplomaci. Portat e Damaskut nuk ishin të hapura dhe ai duhej të ulej me litar. (f. 46)
31. Ibid. f. 46-48.
32. Ibid. f. 49.
33. Ibid. f. 65. Haxhi Khalifah, autori i Kashf az-Zunun dhe Ibn Arabshah sugjerojnë se Ibn Khalduni premtoi që të shërbente në kontigjentin e gjykatës së Tamerlanit gjatë kthimit të tij në Kairo për të marrë librat e tij që ai kaloi të gjithë jetën e tij duke i hartuar ato. Haxhi Khalifah shkon aq larg sa të sugjerojë se Ibn Khalduni vdiq në Samarkand, f. 62-64.
34. Ibid. f. 65. Ibn Khalduni e përmend këtë deklaratë duke kërkuar për kthimin e mushkës së tij. Ai shënon se Ibn Khalduni është zotërues i mënyrave të sjelljes. Ky është një rezultat i viteve të tëra përvojë me një shumëllojshmëri të gjykatave të muslimanëve dhe jomuslimanëve.
35. Ibid. f. 67-68. Kishte disa që ishte në interesin e tyre për të pasur pozitën e shefit të kadive malikitë, ata komplotuan me të njohurit e vet afër sultanit Faraxh për të hedhur poshtë Ibn Khaldunin. Do të duket se dhe Ibn Khalduni kishte gjithashtu disa ndikime në të cilat ai do të rikthehej në pozitë.
36. Autori në fund të hyrjes së tij thotë: “Unë e përfundova hartimin dhe përmbajtjen e kësaj pjese të parë, para rishikimit dhe korigjimit, në një periudhë prej pesë muajsh duke përfunduar në mes të vitit 779 [nëntor, 1377]. Rosenthal, Mukaddimah, f. 481, vol. 3, gjithashtu Mukaddimat Ibn Khalduni, f. 416.
37. Për shkak të faktit se ata besojnë se pushtuesi është superior ndaj tyre në çdo mënyrë. Kështu që në mënyrë që ata t’ia dalin mbanë aty ku dështuan, ata duhet të imitojnë ata në çdo hollësi gjer tek veshja dhe mënyra e sjelljes. Shih Rosenthal, Mukaddimah, f. 299-300, vol. 1.