Imazhi i veçantë i Mjegullnajës së largët të Konit mahnit astronomët

Ky imazh i mahnitshëm i mjegullnajës në kufijtë e thellë të hapësirës ka habitur astronomët. Imazhi i Mjegullnajës së Konit u publikua nga Observatori Jugor Evropian (ESO). Fotoja është marrë nga Teleskopi i Madh i ESO-s për të festuar 60-vjetorin e tij.

Mjegullnaja e konit është pjesë e një kompleksi më të madh 2500 vite dritë larg. Njihet si NGC 2264 në yjësinë Monoceros (Njëbrirëshi).

Kjo mjegullnajë e veçantë duket ndryshe nga disa që mund të keni parë. Nuk shkëlqen me ngjyra nga gazi ndëryjor, por përkundrazi përbëhet nga pluhur i trashë që thith dritën e dukshme.

 “Pamja e saj si shtyllë është një shembull i përsosur i formave që mund të zhvillohen në retë gjigante të gazit molekular të ftohtë dhe pluhurit, të njohura për krijimin e yjeve të rinj”, tha ESO në një mbishkrim që shoqëron foton.