India ndërpret eksportin e vaksinës “Oxford-AstraZeneca” për konsum të brendshëm

India ka vendosur të ndërpresë përkohësisht eksportin e vaksinave antiCOVID të prodhuara nga “Oxford-AstraZeneca” për shkak të nevojës për përdorimin e vaksinave brenda vendit pas rritjes së numrit rasteve.

 

Sipas një lajmi të Korporatës Britanike të Transmetimit (BBC), zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë raportuan se eksporti drejt vendeve të tjera i vaksinës “Oxford-AstraZeneca” të prodhuar nga Instituti i Serumit të Indisë (SII) është ndërpresë përkohësisht pas rritjes së të infektuarve me COVID-19 në vend.

Autoritetet indiane theksuan se vaksinat janë të nevojshme për përdorim të brendshëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

Bëhet e ditur se kjo situatë mund të shkaktojë disa vonesa në shpërndarjen e vaksinave në vendet e tjera deri në fund të prillit.

Ministria e Shëndetësisë së Indisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 47.262 raste të reja me COVID-19 dhe për shkak të virusit kanë humbur jetën 275 pacientë të tjerë, gjë që e çon në gjithsej 160.441 numrin e viktimave në shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në botë.

Ndërkaq, raportime mjaft shqetësuese vijnë nga India, ku një variant i ri, “mutacion i dyfishtë” i koronavirusit, si dhe 771 variante të ndryshme janë zbuluar në 18 shtete perëndimore.

Kjo vjen teksa përhapja e COVID-19 ka prekur nivele tepër të larta. Në 10 mijë teste janë raportuar mbi 700 raste me variantin britanik, 34 me atë afrikanojugor dhe një me mutacionin brazilian.

Zyrtarët e shëndetësisë bënë me dije se rastet janë shqyrtuar me shumë kujdes.

Mutacionet e viruseve janë të zakonshme dhe shpesh nuk ndikojnë aftësitë transmetuese apo nuk shkaktojnë infeksion serioz. Por disa variante, siç janë ai britanik dhe afrikan, mund ta bëjnë virusin më infektues dhe në disa raste edhe më tepër vdekjeprurës.

Dr. Shahid Jameel, një prej virologëve dhe akademikëve më të shquar në Indi, shpjegon se një mutacion i dyfishtë krijohet kur dy variante të ndryshme bashkohen në të njëjtin virus.

“Një mutacion i dyfishtë në zonat kryesore të proteinës «spike» të virusit mund të rrisë këto rreziqe dhe e aftëson virusin që t’i shpëtojë sistemit imunitar duke e bërë atë më tepër infektues”, u shpreh ai.

Si masë kundër infektimeve në rritje, ekspertët shëndetësorë indianë kërkuan rritjen e kapaciteteve gjurmuese të rasteve me koronavirus dhe veçanërisht zbulimin e mutacioneve të reja. /trt