Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arrin nivelin më të lartë të 40 viteve prej 9% ndërsa faturat e energjisë rriten

Çmimet po rriten me ritmin e tyre më të shpejtë në 40 vjet ndërsa faturat më të larta të energjisë godasin miliona familje. Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar dhe norma me të cilën rriten çmimet arritën në 9% në në prill, nga 7% që ishte në mars.

Rritja erdhi pasi miliona njerëz pësuan një rritje të paprecedentë të kostove të energjisë muajin e kaluar me një shumë prej 700 £. Çmimet më të larta të karburanteve dhe ushqimeve, të nxitura nga lufta në Ukrainë, po rrisin gjithashtu koston e jetesës, pritet që inflacionin të vazhdojë të rritet këtë vit.

Citizens Advice tha se “sinjalet paralajmëruese nuk mund të ndizen më shumë” që qeveria duhet të ofrojë më shumë mbështetje për familjet dhe organizatat bamirëse të borxhit i kërkuan kujtdo që e ka të vështirë të paguajë faturat të kërkojë ndihmë më herët sesa më vonë gjatë vitit.

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS), rreth tre të katërtat e rritjes së inflacionit në prill erdhi nga faturat e larta të energjisë elektrike dhe gazit.

“Ka histori dëshpëruese pas këtyre shifrave,” tha Dame Clare Moriarty, shefe ekzekutive e Citizens Advice. “Njerëzit që lahen në lavamanët e tyre të kuzhinës, sepse nuk mund të përballojnë një dush të nxehtë; prindërit që anashkalojnë vaktet për të ushqyer fëmijët e tyre; personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë mundësi të përdorin pajisje jetike për shkak të faturave të larta të energjisë.”

‘Nuk mund të bëj më shumë’

Punonjësia e shëndetësisë Cheryl Holmes, nënë e dy fëmijëve, tha se ajo po përpiqej t’i mbante kostot e saj të jetesës në “sa më të ulëta” duke shpenzuar më pak për ushqim dhe rroba dhe duke anuluar abonimet televizive.

“Tashmë prej disa vitesh kam fikur dritat në çdo dhomë, kam vendosur ngrohjen në një kohëmatës, dhe jam siguruar që po përdor një pjatalarëse dhe lavatriçe të mbushur plotë por përsëri nukë është mjaftueshëm, po më mbarojnë idetë”

“Është një betejë dhe duket se nuk mund të bëj më shumë se kaq”

Një kufi më i lartë i çmimit të energjisë – i cili është çmimi maksimal për njësi që furnitorët mund të ngarkojnë klientët – filloi muajin e kaluar, që do të thotë se shtëpitë që përdorin një sasi tipike gazi dhe energjie elektrike tani paguajnë mesatarisht 1,971 £.

Deri më tani, familjet e të gjitha të ardhurave ishin përballur me norma të ngjashme inflacioni, por më të varfrit tani po goditen më së shumti nga rritja e çmimeve sepse duhet të shpenzojnë shumë më tepër nga buxhetet e tyre familjare për gaz dhe energji elektrike, tha Instituti për Studime Fiskale.

ONS, e cila publikon normën e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se kostot e ushqimit, makinerive, mobiljeve dhe mallrave të tjera shtëpiake gjithashtu u rritën në muajin prill.

“Të gjithë artikujt” në menutë e restoranteve dhe kafeneve janë rritur gjithashtu, për shkak të kthimit të TVSH-së 20% e cila u ul gjatë pandemisë për të ndihmuar bizneset. Ndërkohë, çmimet mesatare të benzinës qëndruan në 1.62 £ për litër në prill 2022, më i larti në rekord, krahasuar me 1.26 £ për litër një vit më parë.

Inflacioni është shkalla me të cilën çmimet po rriten. Për shembull, nëse një shishe qumësht kushton 1 £ dhe kjo rritet me 9 p, atëherë inflacioni i qumështit është 9%. Çmimet janë rritur për muaj të tërë, pasi çmimet e karburanteve, energjisë dhe ushqimeve rriten për shkak të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, dhe pagat nuk po arrijnë të mbajnë ritmin . Inflacioni i vlerësuar i ONS tani është në nivelin më të lartë që nga marsi 1982, kur ai qëndroi në 9.1%.

Banka e Anglisë paralajmëroi në fillim të këtij muaji se kriza e kostos mund ta lërë Mbretërinë e Bashkuar në prag të recesionit, me inflacionin që arrin kulmin në mbi 10% më vonë këtë vit, mes rritjeve të mëtejshme të pritshme në faturat e energjisë. /monitor