Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani, SHBA-ja dhe Pakistani raportojnë përparim në bisedimet për përfundimin e luftës

Irani, SHBA-ja dhe Pakistani raportojnë përparim në bisedimet për përfundimin e luftës

Esmaeil Baghaei

Irani, Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani kanë njoftuar se është shënuar përparim në bisedimet për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Teherani po finalizon një memorandum mirëkuptimi me Uashingtonin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se Irani ka përgatitur një dokument me 14 pika, i cili përfshin çështjet kryesore që konsiderohen të domosdoshme për përfundimin e konfliktit. Sipas tij, prioritetet janë ndalimi i luftës, heqja e bllokadës detare amerikane dhe lirimi i aseteve iraniane të ngrira.

Baghaei tha se mes Teheranit dhe Uashingtonit po vërehet një afrim i qëndrimeve, megjithëse ende ekzistojnë dallime në çështjet kryesore. Ai shtoi se palët nuk kanë arritur ende një afat të përbashkët për marrëveshjen, por detajet pritet të diskutohen brenda 30 deri në 60 ditëve të ardhshme.

Sipas zyrtarit iranian, drafti i marrëveshjes përfshin edhe çështjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalimin e asaj që Teherani e cilëson si pengim amerikan të lundrimit ndërkombëtar.

Baghaei theksoi se programi bërthamor iranian nuk është pjesë e kornizës fillestare të negociatave dhe se diskutimet për këtë dosje do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme. Ai shtoi se prioritet aktual mbetet përfundimi i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Ndërkohë, Pakistani konfirmoi “përparim inkurajues” drejt një mirëkuptimi përfundimtar mes Iranit dhe SHBA-së. Ushtria pakistaneze njoftoi se negociatat intensive të 24 orëve të fundit kanë sjellë rezultate pozitive.

Shefi i Ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, zhvilloi vizitën e tij të dytë në Teheran brenda pak javësh, ku u takua me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe zyrtarë të tjerë të lartë, në kuadër të përpjekjeve të Islamabadit për ndërmjetësim.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ekziston mundësia që Irani të pranojë një marrëveshje së shpejti. Ai tha se negociatat kanë shënuar përparim, por nuk përjashtoi mundësinë e veprimeve të mëtejshme ushtarake amerikane ndaj Iranit nëse bisedimet dështojnë. /mesazhi