Islamin po ia përshtasim vetes apo veten tonë islamit…?

Islami si metodologji duhet të konsiderohet në tërësi dhe jo pjesërisht, ashtu siç e vërteta që ka si parakushtin e saj për tu kuptuar që të merret e tëra dhe jo e pjeshme. Kur e vërteta është e pjesshme na rezulton se edhe kuptimi i saj mbetet i pjesshëm, ndërsa aplikimi rezulton i pa mundur.

Që të kuptohemi në këtë pikë. Nuk duhet që islamin ta përshtasim tek vetja, por duhet që veten tonë t’ia përshtasim islamit me gjithë gradualitetin e tij formues dhe ringritës.

》Por Përse…?
——-
Në momentin që ne i përshtasim vetes fenë, atëhere do spikasim tek feja ato gjëra që vetja jonë, uni individual i ka si pjesë të saj. Në rastet kur dikush përbëhet nga cilësi dhe karakter të ashpër, do vërejmë se tek feja do spikasë vetëm këtë anë të saj edhe pse mund të ketë argumenta të pjesshme. Po ashtu, nëse dikush në karakterin e tij është i ndjeshëm, do vërejmë se edhe nga feja do kërkojë këtë pjesë emocionale, ngushëlluese, etj., edhe pse ka argumenta të sakta në këtë sferë, përsëri mbetet e pjesshme.

》Çfarë kërkohet…?
——-
Nëse do të rendim drejt një natyrshmërie të përshtatjes së unit individual me islamin si sistem universal, do arrijmë një transformin të ngecjes personale drejt lirisë së veprimit dhe të kalimit nga individualja e ngushtë drejt universales së gjërë. Me fjalë të tjera, do kalojmë nga e pjesshmja tek e plota, nga anët drejt boshtit, nga detajet drejt thelbit, nga degët tek rrënjët dhe nga diferencat drejt bashkimit. Mbi të gjitha, ne jemi një popull (umet) në proces të arritjes së gradës si populli më i mirë që ka dalë ndër njerëz dhe parakushti i këtij procesi është ajo që Zoti e paraqet në Kuranin famëlartë: “Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (ekuilibruar) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush”. (Bekare: 143)

》Ekuilibri, nga ku për ku..!
——
-Nga pamja e jashtme dhe forma drejt esencës dhe përmbajtjes.
-Nga fjalët dhe debatet drejt kontributit dhe veprave.
-Nga emocionalizmat dhe demagogjitë drejt shkencës dhe racionalizmit.
-Nga degët dhe anët drejt bazave dhe të rëndësishmeve.
-Nga të vështirësuarit dhe përjashtimit drejt përgëzimit dhe lehtësimit.
-Nga ngurtësimi dhe imitimi drejt ixhtihadit (përpjekjes) dhe rinovimit.
-Nga fanatizmat dhe mbyllja drejt tolerancës dhe mirëkuptimit.
-Nga teprimi dhe shthurja drejt ekuilibrit dhe modelit.
-Nga kundërshtimet dhe armiqësitë drejt afrimit dhe bashkimit.

》Drejt një ekuilibri praktik.
——-
-Beson Allahun, por nuk e mohon njeriun.
-Beson shpalljen, por nuk hedh poshtë logjikën.
-Thërret për shpirtëroren, por nuk e lë pas materialen.
-Fton për punë dhe seriozitet, por nuk harron kohën e lirë dhe argëtimin.
-Fton në universalen, por nuk harron lokalen.
-Kujdeset për aktualitetin, por nuk harron të shkuarën dhe origjinën.
-Sheh drejt së ardhmes, por nuk e mohon të kaluarën.
-Bën thirrje për ripërtëritje, por nuk i tejkalon bazat konstante.
-I njeh të drejtën gruas, por nuk i bën padrejtësi burrit.
-Hedh poshtë terrorizmin e ndaluar, por mbështet luftën e ligjëruar për atdhe dhe liri.
-Mbron të drejtat e pakicave, por nuk lë pas dore shumicën.
——-
Nga këtu kuptojmë se çdo të thotë t’ia përshtasim veten Islamit si fe dhe sistem që i përgjigjet dhe i përshtatet të gjitha kohërave, vendeve dhe rrethanave.

Nga: Vladimir Kera