Itali – Qeveria heq rregullin e vaksinimit kundër Covid-19 për punonjësit shëndetësorë

Qeveria e re e Italisë ka hequr kërkesën për vaksinimin kundër Covid-19 për punonjësit shëndetësorë në spitale dhe shtëpitë e të moshuarve.

Që nga sot, rreth 4 000 punonjës shëndetësorë që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit do të jenë në gjendje të punojnë sërish”, njoftoi dje kryeministrja Giorgia Meloni, në Romë.

Masa e qeverisë së mëparshme të udhehequr nga Mario Draghi do të ishte e vlefshme deri në fund të vitit.

Stafi shëndetësor duhet të vazhdojë të mbajë maska.

Roma forcoi gjithashtu gjobat për të goditur festat ilegale. Organizimi i tubimeve me më shumë se 50 persona që përbëjnë një kërcënim për rendin, integritetin ose shëndetin publik mund të rezultojë në gjoba nga 1000 deri në 10000 euro.

Qeveria shtyu gjithashtu hyrjen në fuqi të një reforme gjyqësore të bërë nga Kabineti i Draghi, që përfshinte fondet e BE-së për rimëkëmbjen pas pandemisë.

Roma duhet të sjellë në fuqi reformën deri në fund të vitit për të përmbushur afatet për aksesin e fondeve. /atsh