“Izraeli është përgatitur për të goditur objektivat iraniane jashtë Sirisë”

 Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Liberman, tha se vendi i tij është përgatitur të sulmojë objektivat e Iranit jashtë Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas televizionit shtetëror izraelit, Liberman, i cili foli në një konferencë në Kuds, tha se “Ne nuk e kufizojmë veten tonë vetëm me territorin sirian. Kjo duhet të jetë e qartë.”

Duke bërë të ditur se do të godasin objektivat e Iranit jashtë Sirisë, Liberman ka përdorur shprehjen: “Ne do të luftojmë me të gjitha kërcënimet e Iranit, pavarësisht se nga është burimi i tyre”.

Liberman në fjalën e tij nuk ka përcaktuar se në cilin vend mund të godasin objektivat e Iranit.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një deklaratë më 30 gusht kishte shprehur kërcënimet se do të vendosnin në objektiv pozicionet që i përkasin Sirisë dhe Iranit.