Izraeli pjesëmarrës në samitin e sigurisë në Bahrein

Një delegacion nga Izraeli do të marrë pjesë në samitin e sigurisë i cili do të organizohet në Bahrein nën kyresimin e SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni zyrtar i Izraelit do të jetë pjesëmarrës në konferencën e sigurisë detare i cili do të mbahet sot dhe nesër në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, raportoi televizioni izraelit Kanal 13.

Duke cituar diplomatë të huaj anonimë, kanali izraelit tha se pjesëmarrja e delegacionit të qeverisë së Tel Avivit do të jetë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike me Bahreinin.

Siç raportohet më tej, tema kryesore e programit dyditor do të jetë “Kërcënimi iranian në Gjrin e Omanit”.

Në samitin e organizuar nën kyresimin e SHBA-së do të marrin pjesë edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Omani.

Siç thuhet, samiti në Manama do të jetë vazhdimësi e konferencës “Mbështetja e së ardhmes së paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme” e cila në muajin shkurt u organizua në Varshavë të Polonisë, duke tubuar në një tryezë Izraelin dhe shumë vende arabe.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme izraelite në një deklaratë për Kanal 13 nuk e përgënjeshtroi lajmin dhe tha se konferenca në fjalë është “pjesë e procesit të Varshavës”.

Ndryshe, viteve të fundit është vërejtur afrim i Izraelit me vendet e Gjirit, pavarësisht faktit se Tel Avivi nuk ka marrëdhënie diplomatike me këto shtete.