Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar me vendosjen e baterive të sistemit të mbrojtjes të “Kubes së Hekurt” në Kodrat e pushtuara të Golanit.
Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga ushtria izraelite thuhet se forcat ushtarake në zonat veriore të vendit, me në krye rajonin e pushtuar të Kodrave të Golanit, kanë vendosur sistemet e mbrojtjes raketore të llojit “Patriot” dhe bateritë e raketave të sistemit të mbrojtjes të llojit “Kubeja e Hekurt”.
Në komunikatë, ku tërhiqet vëmendja në tensionimin e jetuar me Iranin, thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet për sulme të mundshme që do të mund të vijnë nga veriu, ndërsa qytetarëve që jetojnë në këto zona u bëhet thirrje t’i përmbahen udhëzimeve të ushtrisë.
Sipas lajmeve që zënë vend në shtypin izraelit, ushtarëve rezervistë të forcave të mbrojtjes ajrore dhe ushtarëve të forcave të mbrojtjes së brendshme iu bë thirrje për t’iu bashkëngjitur ushtrisë.
Në anën tjetër pas deklaratës së Presidentit Donald Trump se Shtetet e Bashkuara të Amerikë tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, ambasada e ShBA-së në Tel-Aviv paralajmëroi qytetarët e saj që jetojnë në këtë vend që të mos shkojnë në Kodrat e Golanit për shkak të “tensionimit që po jetohet në këtë rajon”.
Kodrat e Golanit, që janë territor i Sirisë, mbahen të pushtuara nga Izraeli prej vitit 1967 e këtej.
Prej fillimit të luftës civile në Siri në vitin 2011 e këtej, Izraeli herë pas here ndërmerr sulme ndaj forcave të Hizbullahut të mbështetur nga Irani dhe ndaj pikave ushtarake të regjimit të Esadit me pretekst se nga Siria dhe Kodrat e Golanit janë kryer sulme me raketa ndaj territoreve izraelite.








