Japonia kërkoi sot nga Irani të lirojë shtetasin e saj, i cili mbahet në burg që nga muaji i kaluar, transmeton Anadolu.
Pa zbuluar detajet e identitetit, zëvendës sekretari i kabinetit të Japonisë, Masanao Ozaki u tha gazetarëve se “Tokio po kërkon lirimin e parakohshëm të personit”.
Shtetasi japonez u ndalua nga autoritetet iraniane më 20 janar, tha Ozaki, sipas Kyodo News.
Reagimi i Tokios erdhi pasi Radio Evropa e Lirë, e financuar nga SHBA-ja, raportoi të martën se Irani ka arrestuar shefin e zyrës së Teheranit të transmetuesit publik japonez NHK.
Thuhet se ai mbahet në burgun “Evin” në Teheran. Autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.
“Qeveria japoneze ka qenë në kontakt me shtetasin e ndaluar dhe familjen, duke ofruar mbështetjen e nevojshme”, tha Ozaki.
Kur u pyet për ndalimin e stafit të saj, NHK tha: “Ne gjithmonë i japim përparësi sigurisë së anëtarëve të stafit tonë dhe nuk ka asgjë për të cilën mund të përgjigjemi në këtë moment”.



