Jashari nga Prekazi: Sikurse para 24 vjetëve edhe tash Serbia po na bënë presion, por jemi shqiptarët e njëjtë sikurse atëherë dhe do ta mbrojmë vendin tonë

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Gjatë këtyre homazheve, Jashari kujtoi se ishte sikurse kjo ditë sot, para 24 vjetëve kur familja Jashari luftonte vetëm ndaj një arsenali të tërë të ushtrisë serbe.

“Duke kujtuat këtë sakrificë që 24 vite më parë ishte po e njëjtë siç tregon Besarta dhe Bashkimi që tani është komandant i FSK -së, ka qenë kohë e njëjtë, po sikur kjo sot që ka filluar sulmet më 5 mars, dhe kanë vazhduar më 6 deri më pasditen e datës 7 në ora 16:00 pasdite, do të thotë 3 ditë luftime. E tërë lagjja Jashari kundër një force absolutisht të pabarabartë, një arsenal i tërë kundër një familje e pas disa ditëve tërë një lagje e sipas dëshmitarëve okularë flitet mbi 15 mijë forca ushtarake policore me një fjalë një arsenal i terë tokësorë, përpos atij ajrorë që është përdorur gjatë këtyre tri ditëve por që fal sakrificës edhe pse shkuan shumë bukur shumë…Kështu që nga ajo ditë e sot janë shqiptarët anë e kënd trojeve tona etike por edhe nga diaspora që nuk na harruan dhe nuk na lanë vetëm asnjëherë si në ditë të mirë si në ditë të këqija”, tha ai.

E po ashtu Jashari nuk e la pa e përmend edhe agresionin rus në Ukrainë, duke e krahasuar atë me agresionin serb në Kosovë para 24 vjetëve. Ai po ashtu theksoi faktin se i njëjti agresorë, është duke na bërë presion edhe sot.

“Edhe tash në këtë situatë në të cilën jemi dhe në të cilën gjendet Ukraina, që ne edhe ne fqinjin tonë këtu e kemi të njëjtin agresorë që po ashtu e kemi pasur edhe 24 vjet më parë e që është duke na bërë presion edhe tani por që ne jemi të njëjtit shqiptarë që do përgjigjemi dhe do e mbrojmë vendin tonë derisa të ekziston fryma e fundit shqiptare në këto troje”, deklaroi Jashari.