BE i jep ultimatum Britanisë

Bashkimi Europian i ka dhënë dy javë kohë Mbretërisë së Bashkuar për të vendosur shumën që do të paguajë në procesin Breksit. Ndërkohë, kryeministrja britanike Tereza Mej është akuzuar se ka mashtruar qytetarët, pasi Londra mund të kthejë pas kërkesën për të dalë nga Unioni.

Bashkimi Europian i ka vendosur ultimatum Mbretërisë së Bashkuar. “Qeveria britanike ka dy javë kohë për të qartësuar se sa është e gatshme të paguajë për të zgjidhur “faturën e divorcit”. Këtë e ka thënë Michel Barnier, shefi negociator i Unionit, në përfundim të raundit të gjashtë të negociatave me homologun e tij britanik, David Davis. “Kjo është absolutisht e rëndësishme nëse ne duam të bëjmë përparim në dhjetor”, nënvizoi zyrtari europian duke shtuar se “kjo ka të bëjë me zgjidhjen e llogarive siç duhet të bëhet në çdo ndarje”.

Tani duhet një interpretim objektiv i angazhimit të Kryeministres Theresa May për respektimin e angazhimeve financiare të bëra nga Britania dhe për të mos dëmtuar ndonjë vend të BE-së. Vendimi i Londrës duhet të jetë i qartë brenda fillimit të dhjetorit në mënyrë që propozimi të diskutohet në samitin e liderëve europianë me 14 dhe 15 dhjetor.

Qeveria britanike e kërkon që sa më shpejt të kalohet në raundin e ardhshëm të negociatave për të diskutuar marrëdhëniet tregtare pas daljes nga Bashkimi Europian, por Barnier theksoi se kjo nuk është e mundur pa një angazhim konkret për të paguar një shifër të saktë dhe të dakordësuar. Ndërsa ministri britanik për Breksit theksoi se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje. Davis komentoi shkurtimisht zhvillimet e fundit dhe përfundoi konferencën e përbashkët me homologun europian.

Ndërkohë, kryeministrja britanike Theresa May është akuzuar për mashtrim, lidhur me procesin Breksit. Arkitekti i artikullit 50, të cilin Mbretëria e Bashkuar e aktivizoi për herë të parë në histori të Unionit për të dalë nga BE, thotë se shefja e qeverisë ka gënjyer britanikët me insistimin e saj që rrugëtimi i Breksit është pa kthim. John Kerr, ish-ambasador i Britanisë në BE nga 1990 deri në 1995, bëri me dije se përderisa negociatat për shkëputjen vazhdojnë, dy palët mund të bien dakord përsëri për të qëndruar bashkë.