Kah po shkon rinia jonë…?

Sot, isha ulur i vetëm në njërën nga kafiterite e qytetit. Po e prisja një mikun tim për të pirë kafe, siç bëjmë zakonisht ditëve kur nuk jam në punë.
Teksa po prisja, rastësisht më ra të dëgjoja një bisede në tavolinën përballë.
Dy të rinj të moshës rreth 25-30 vjeç po bisedonin me një pedagog pensionist. Pedagog që kishte punuar për 20 vite në arsim. Diku vitet ’60-’80.
Mundohej të këshillonte të rinjtë, të orientojë ata për të ardhmen e tyre, për jetën e tyre, për sfidat dhe peripetit që mund të ua sjell jeta.
Këshilla e tij që më bëri më së shumti përshtypje ishte kjo “Zoti nuk ka krijuar kot asgjë. Çdo njeri është krijuar për diçka andaj gjejeni veten tuaj”.
Kështu për plotë gjysmë ore vazhdojë këshillimi i tij dhe në fund për të shpjeguar rolin e çdo njerit prej nesh në shoqëri, ai filloj të citoj “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit. Pra, kishte për qëllim t’u tregonte se njeriu duhet flijuar në shërbim te të tjerëve. Pra, duhet flijuar për të ndriçuar dhe lehtësuar jetën e të tjerëve. Kjo është e natyrshme dhe prej ligjeve të Zotit në këtë botë ngase çdo gjeneratë duhet të sakrifikohet për gjeneratën tjetër. Kështu do të mundësohet vazhdimësia e jetës në tokë.
Të rinjtë kishin zgurgulluar sytë, ishin habitur fare thuajse po fliste gjuhë të huaj.
Thuajse u dukej që po fliste në gjuhë zullullu apo ndonjë gjuhë nga Marsi, Jupiteri, apo Saturni.
E në fund të poemës së Naimit, Pedagogu po i pyet të rinjtë nëse e dinin se e kujt ishte ajo poemë. Aty plasi e qeshura, në vend të turpërimit të tyre për injorancën që kishin.
Dhe krejt në fund, për të shpaguar këtë dhe për të paguar këshillat e pedagogut të urtë. Njëri prej tyre thirri kamarierin dhe me plot injorim e cenizëm i tha: “Paguje kafën e migjës” dhe filluan prapë të qeshnin.
Fjalët e tij, që ishin të gatuara me flori, të mbushura plot dije dhe përvojë nuk ishin fjalë që mund të paguhen. E aq më pak të paguhen me një kafe 0.70€. Por, ja që rinia jonë aq di të vlerësojë dijën, këshillën dhe përvojën që u ofrohet nga të tjerët. Dije, këshillë dhe përvojë që ishte fituar me mund të madh dhe ndërvite të gjata. Kjo po u ofrohej falas ndërsa ata e nënçmonin me çmimin e një kafeje.
Miq, kjo është rinia jonë, kjo është e ardhmja jonë, ky është vendi ynë për të cilin u derdh aq shumë gjak, djersë e mund, mendova unë. Ndërsa, në anën tjetër falenderova mikun për vonesën ngase vonesa e tij ishte arsye e dëgjimit të asaj bisede. Kjo padyshim që ishte një kafe plot dobi, mësime, e urtësi. Kafe që rrallë, shumë rrallë të rastis ta shijosh…

Nga: Artan Musliu