Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kancelari gjerman Merz bën thirrje për kufizime në mediat sociale për të...

Kancelari gjerman Merz bën thirrje për kufizime në mediat sociale për të mbrojtur të rinjtë

Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për masa më të rrepta për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në internet, duke paralajmëruar se algoritmet e rrjeteve sociale dhe dezinformimi përbëjnë kërcënim ekzistencial për demokracinë liberale, raporton Anadolu.

Duke folur në një aktivitet partiak në qytetin Trier, ai tha se Unioni Kristian Demokrat do të diskutojë kufizime të mundshme për rrjetet sociale në konferencën e partisë më vonë këtë javë, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve.

“A duam të lejojmë përhapjen në rrjetet sociale të lajmeve të rreme të gjeneruara artificialisht, videove të rreme dhe shtrembërimeve?” pyeti ai, duke theksuar se një 14-vjeçar mesatar kalon rreth pesë orë e gjysmë në ditë para ekranit.

Merz paralajmëroi se grupet e ekstremit të djathtë dhe aktorë të huaj po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale dhe algoritmet e rrjeteve sociale për të ndikuar dhe minuar demokracinë.

“A duam të lejojmë që shoqëria jonë të gërryhet nga brenda në këtë mënyrë? Këta janë armiqtë e lirisë dhe demokracisë sonë, armiqtë e një shoqërie liberale të hapur dhe të lirë”, tha ai.

Ai pranoi se rreziku është nënvlerësuar edhe nga vetë ai dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa kritikoi edhe postimet anonime në internet, duke thënë se ato dëmtojnë debatin politik konstruktiv.

“Dua të shoh emra të vërtetë në internet. Dua të di kush flet”, theksoi kancelari gjerman.