Kategoritë e ngarkuara me agjërim, dhe rastet që e justifikojnë mosmbajtjën e agjërimit

Dr. Bashkim Aliu

Islami është fe e cila në mësimet e veta ka bërë harmonizimin e dy aspekteve të rëndësishme të jetës në përgjithësi dhe të ritualeve fetare në veçanti: esencën dhe formën, gjegjësisht njeriun e sheh si qenie dualiste: shpirtërore dhe materiale, dhe për këtë qëllim kërkon prej tij që të punojë në këtë botë për t’i plotësuar nevojat shpirtërore dhe materiale, si dhe e ka promovuar qëllimin si parim bazë të vlefshmërisë së adhurimeve, por në të njejtën kohë ka vënë rregulla dhe kushte të cilat duhet të plotësohen për të qenë një adhurim i pranuar në aspektin juridik formal në Islam. Kështu, nëse ndalemi t’i analizojmë katër shtyllat bazë të Islamit: namazin, agjërimin, zeqatin dhe haxhin, do të shohim se esenca e këtyre adhurimeve konsiston në nënshtrim në ndaj Krijuesit dhe ngritjen shpirtërore të njeriut, largimin e tij nga gjërat e urrejtura, dhe ngritjen e tij në piedestale të larta të jetës shpritërore, bërjen e tij të devotshëm, dhe përkushtimin në rrugën e Allahut të Madhërishëm, Mirëpo, ky aspekt nuk është i vetmi që duhet të plotësohet për vlefshmërinë e këtyre adhurimeve, por mësimet islame përmbajnë kushte, rregulla dhe veprime të cilat duhet të plotësohen, për të qenë këto adhurime të vlefshme. Nisur nga kjo, namazi ndalon nga punët e liga dhe të neverritura, por kjo nuk don të thotë se për tu arritur ky objektiv, namazi mund të falet në çfardo forme. Jo, nuk është kështu. Për namazin ka rregulla dhe kushte të caktuara, ka formë dhe veprime të caktuara të cilat duhet të bëhen, dhe të cilat nëse nuk plotësohen, nuk mund të thuhet se një person e ka falur namazin.
Së këndejmi, edhe agjërimi si adhurim, ka synim bazë ngritjen shpirtërore të njeriut, humanizimin e tij, pajisjen e tij me virtyte të larta morale, si dhe shndërrimin e tij në faktor relevant pozitiv në shoqëri. Megjithatë, për të qenë agjërimi i vlefshëm, ka rregulla dhe kushte, ka gjëra që është obligim të bëhen me rastin e agjërimit, si dhe ka gjëra të cilat nuk guxojnë të bëhen, pasi e prishin agjërimin.
Në korpusin e rregullave juridike për vlefshmërinë e agjërimit, bëjnë pjesë edhe kategoritë e njerëzve të ngarkuar me agjërim, si dhe rastet që e justifikojnë prishjen e tij. Këto kategori dhe raste, do të jenë objekt shqyrtimi i këtij punimi.

KATEGORITË E NGARKUARA ME AGJËRIM
Agjërimi është adhurim trupor, dhe realizimi i këtij adhurimi nënkupton largimin nga veprime të caktuara, prej imsaku e deri në iftar. Karakteri i këtillë i këtij adhurimi që konsiston në abstenim nga gjëra të caktuara për një periudhë të caktuar kohore, pra gjatë ditës, e cila sipas dispozitave islame fillon me imsakun dhe mbaron me perëndimin e diellit, apo iftarin, na çon në pyetjen se a është agjërimi obligim për çdo person, apo ka kategori të caktuara njerëzish për të cilët agjërimi është obligim?
Kategoritë vijuese janë objekt i ngarkimit me obligimin e agjërimit : 1.Muslimanët; 2.Ata që kanë arritur moshën madhore-bylyg; 3.Ata që janë mentalisht të shëndoshë; 4.Të mos jenë udhëtarë; 5.Të jenë të shëndoshë, gjegjësisht të mos jenë të sëmurë në këtë kohë, si dhe gruaja të mos ketë menstruacione; 6.Personi i cili ka kaluar në Islam në një vend ku ka shumicë absolute të qytetarëve jo muslimanë, të jetë në dijeni se agjërimi është obligim.
Këto kategori që obligohen me agjërim, janë konform shpjegimit të Shkollës Juridike Hanefite. Përndryshe, këto grupe përkthehen në kushte të agjërimit, dhe këto kushte, sipas kësaj shkolle juridike janë tre llojesh: kushte të obligimit; kushte të obligimit të kryerjes; dhe kushte të vlefshmërisë së kryerjes. Kështu, të qenit musliman, mentalisht i shëndoshë, në moshën madhore dhe dija e personit që ka kaluar në Islam në një vend me shumicë dërrmuese jo muslimane, janë kushte të obligimit të agjërimit. Ndërkaq, të qenit e personit jo i sëmurë, të qenit e gruas pa menstruacione dhe jo lehonë, si dhe të qenit e personit jo udhëtar, janë kushte të oblgimit të kryerjes së agjërimit.

PERSONAT QË NUK BËJNË PJESË NË KËTO KATEGORI
Përcaktimi i kategorive të përmendura, don të thotë se jo muslimanët nuk janë kategori e agjërimit, pasi ata në parim nuk besojnë në Islamin si fe dhe as në agjërimin si adhurim dhe obligim fetar. Kush për vlefshmërinë e zbatimit të Islamit është besimi në të vërtetat islame dhe dëshmimi i përkatësisë islame.
Agjërimi i fëmijëve:
Kategori e ngarkuar me detyrën e agjërimit nuk janë fëmijët, por janë ata që e kanë kaluar këtë fazë dhe kanë hyrë në fazën e moshës madhore. Sipas legjislacionit islam, një person kalon nga faza e fëmijërisë në fazën e moshës madhore, në rastin e meshkujve, kur ejakulon, si dhe me tregues të tjerë natytorë që tregojnë se personi përkatës ka kaluar nga faza e fëmijërisë në atë të moshës madhore, dhe në rastin e femrave, kur i fillojnë menstruacionet. Në rast se vonojnë këto elemente, atëherë ata detyrohen me obligimet fetare kur të arrijnë moshën 15 vjeçare sipas kalendarit hënor.
Edhe pse fëmijët nuk janë kategori e ngarkuar me agjërim, nuk është e ndaluar, bile është e rrugës që prindërit t’i trajnojnë fëmijët me agjërim duke pasur kujdes për përgaditjen trupore të fëmijut, gjegjësisht mos e dëmtojë shëndetin e fëmijut. Prindi duhet ta gjejë mënyrën më të përshtatshme për ta bërë këtë. Nëse fëmiju agjëron, agjërimi i tij është i vlefshëm.
Njerëzit me çrregullime mentale:
Kategori e ngarkuar me agjërim nuk janë njerëzit që janë mentalisht jo të shëndoshë, pasi ata nuk janë objekt i detyrave fetare. Obligimi i personave me detyra fetare varet nga aftësia e tyre për t’i kuptuar gjërat dhe të qenit e tyre të vetëdijshëm se çfar janë duke bërë. Njeriu jo i shëndoshë mentalisht, nuk është i vetëdijshëm se çka bënë dhe nuk kupton se pse e bën një veprim. Në hadithin vijues qartë theksohet se njerëzit e sëmurë mentalisht nuk janë kategori që ngarkohen me obligime fetare. Ebu Davudi, Ahmedi dhe koleksionues të tjerë e kanë transmetuar thënien e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ku thuhet: “Lapsi është ngritur nga tre persona: personi që është mentalisht jo i shëndoshë, derisa të shërohet; personi që flenë, derisa të zgjohet; dhe nga minoreni derisa ta arrijë moshën madhore”. “Ngritja e lapsit” d.m.th., në rastet e përmendura, palët nuk janë të obliguar me detyra fetare.
Në rast se kjo gjendje e shëndetit mental nuk është permanente, por në intervale të ndryshme kohore i kthehet vetëdija, atëherë nuk bie prej tij në tërësi obligimi i agjërimit, por duhet analizuar gjendja e tij. Kështu, nëse personi i këtillë e ka filluar muajin Ramazan, apo ka kapur një pjesë të muait Ramazan në gjendje të rregullt mentale, obligohet që ta agjërojë Ramazanin. Nëse i ngelin ditë të pa agjëruara, do t’i kompenzojë pas Ramazani. Mirëpo, nëse gjatë gjithë Ramazanit ka qenë në gjendje jo të rregullt psikike, atëherë ky person nuk obligohet të agjërojë dhe nuk obligohet ta kompenzojë muajin Ramazan.
Ky qëndrim arsyetohet me atë se personi i cili është i sëmurë mentalisht, nuk e ka kaluar muajin Ramazan, dhe as një pjesë të tij në gjendje të rregullt mentale.
Personi i cili e humb vetëdijen në Ramazan, dhe kjo gjendje vazhdon gjatë gjithë muajit Ramazan, do ta kompenzojë agjërimin e këltij muaji pas Ramazani. Nëse personi e humb vetëdijen gjatë ndonjë dite të Ramazanit, nuk do ta kompenzojë këtë ditë me agjërim (nuk do ta bëjë kaza), ngase agjërimi ka ndodhur, gjegjësisht ka ndodhur abstenimi i shoqëruar me nijet. Do t’i bëjë kaza ditët që nuk i agjëron më pas për shkak humbjes së vetëdijes.
Dijetari i shquar Jusuf El Karadavi, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me këtë shënon: “Personi i cili kohë pas kohe ka çrregullime mentale, konsiderohet i obliguar që t’i kryej detyrimet fetare në kohën kur kthehet në gjendje të rregullt mentale. Në këtë grup, disa juristë islamë i futin edhe personat të cilët e humbin vetëdijen ose bien në koma, dhe në këtë gjendje vazhdojnë një periudhë kohore, qoftë e gjatë apo e shkurtë. Sipas mendimit të tyre, personat e këtillë nuk obligohen as me namaz dhe as me agjërim gjatë kohës kur e humbin vetëdijen. Ndërkaq, kur do të vinë në vetëdije, nuk janë të obliguar t’i plotësojnë namazet dhe agjërimin që nuk e kanë kryer gjatë asaj kohe sa nuk kanë qenë në vetëdije, pasi nuk ka qenë objekt i ngarkimit me detyra fetare.
Nga ana tjetër, disa dijetarë tjerë mendojnë se se personat në fjalë janë të obliguar që ta kompenzojnë agjërimin që e kanë lëshuar gjatë kohës sa nuk kanë qenë në vetëdije, marrë parasysh se humbja e vetëdijes është sëmundje e cila e godet trurin e njeriut, por nuk e privon personin përkatëse nga detyrimet fetare, pasi nuk zgjat për një kohë të gjatë.
Sipas mendimit tim, kjo mund të merret si pikëpamje e drejtë nëse zgjat një ditë apo dy ditë. Mirëpo, humbja e vetëdijes për një kohë të gjatë, siç është rast në këtë kohë kur njeriu mund të jetojë për një kohë të gjatë me aparate për frymëmarrje në gjendje kome, personi përkatës lirohet nga obligimi i kryerjes së detyrave fetare për atë kohë derisa ka qenë në gjendje të tillë, pasi kjo do të paraqiste për të vështirësi, ndërkaq Allahu i Madhërishëm nuk e ka bërë fenë të vështirë. Mbase, këtë qëndrim e ka kundërshtuar Ibn Rushdi, i cili ka thënë se dijetarët në të gjitha vendet janë të mendimit se personi i cili e humb vetëdijen, është i obliguar ta kompenzojë agjërimin…”.
Agjërimi i udhëtarit:
Kategoria “të mos jenë udhëtarë”, nuk i përfshinë ata të cilët janë udhëtarë. Kjo don të thotë se personat të cilët janë udhërtarë, gjegjësisht udhëtojnë në largësi prej më së paku 89 kilometra, nuk obligohen me agjërim, dhe ato ditë sa ka qenë udhëtarë, do t’i kompenzojë pas Ramazani. Por, nëse agjërojnë, agjërimi i tyre është i vlefshëm. Allahu i Madhërishëm ka thënë: << …E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim…>>.
Me këtë rast, duhet nënvizuar se vetë udhëtimi është shkak që e justifikon mos agjërimin, e jo kushtet apo mjetet e udhëtimit. Me fjalë të tjera, nuk është e saktë ajo që mund të pretendojnë disa se udhëtimi me mjete komode për udhëtim, siç janë në kohën tonë aeroplanat, trenat, veturat, etj., nuk e justifikon mos agjërimin, por vetëm udhëtimi në këmbë apo me kafshë, që si zakonisht shkakton vështirësi. Kjo nuk mban, pasi Kur’ani e potencon udhëtimin si shkak për justifikimin e agjërimit, e jo mjetin apo mënyrën e udhëtimit. Kjo, mbase do të ishte më mirë që të agjërohet, nëse udhëtimi bëhet me mjete komode dhe personi nuk has vështirësi në udhëtim, nisur nga fakti se vlera e muajit Ramazan është e pa arritshme pas kalimit të tij, edhe pse obligimi plotësohet me kompenzimin e ditëve të lëshuara në Ramazan, pas tij.
Sipas pjesës më të madhe të dijetarëve, udhëtari ka të drejtë që mos të agjërojë, nëse e fillon udhëtimin para agimit të ditës, ndërkaq, nëse e fillon ditën duke qenë në shtëpi, e pastaj brenda ditës e fillon udhëtimin, atë ditë duhet ta agjërojë dhe nuk i lejohet ta prishë agjërimin, edhe pse ka nisur në udhëtim. Mendim tjetër ka Shkolla Juridike Hanbelite të cilët ia kanë lejuar udhëtarit të mos agjërojë, edhe nëse e fillon agjërimin brenda ditës, e jo vetëm para agimit të ditës.
Krahas asaj se udhëtari nuk e ka obligim agjërimin, dijetarët kanë debatuar për atë se çka është më mirë për udhëtarin: të agjërojë, apo mos të agjërojë. Kështu, sipas Hanefitëve dhe Shafi’itëve, për udhërarin është më mirë të agjërojë, nëse nuk dëmtohet. Ndërkaq, sipas Malikitëve dhe Hanbelitëve, mos agjërimi i udhëtarit është sunet, dhe nuk pëlqehet agjërimi në rast të udhëtimit që e dikton shkurtimin e namazit. Nga ana tjetër, sipas Omer ibn Abdul Azizit, Muaxhahidit dhe Katades, për agjëruesin është më mirë ajo që është më lehtë. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe dijetari i shquar Jusuf El Karadavi , i cili këtë e arsyeton me atë se vetë i Dërguari i Allahut kur ka zgjedhur në mes të dy gjërave, çdo herë e ka zgjedhur atë që ka qenë më e lehtë, derisa nuk ka qenë mëkat. Disa dijetarë tjerë kanë thënë se agjëruesi është ai që vendos vetë se a do të agjërojë, apo jo derisa është udhëtarë, pasi ai ka të drejtë ta bëjë edhe njërën, edhe tjetrën.
Statusin e udhëtarit e kanë edhe personat të cilët udhëtojnë në kuadër të punës që kryejnë, siç është rasti me vozitësit e autobusëve, pilotët, etj. Këta janë vazhdimisht në udhëtim, dhe kur këtë e bëjnë gjatë muajit Ramazan, e kanë të lejuar që mos të agjërojnë, por agjërimin do ta kompenzojnë pas Ramazani, kur do t’u jepet mundësia. Jusuf El Karadavi shprehet se nëse nuk u jepet mundësia të agjërojnë edhe pas Ramazani për shkak natyrës së punës, apo për ndonjë shkak tjetër, atëherë e marrin statusin e personave që kanë sëmundje kronike, dhe agjërimin do ta kompenzojnë me ushqimin e të varfërit-fidje.
Agjërimi i personit të sëmurë:
Kategoria “të jenë të shëndoshë”, nuk i përfshinë ata që janë të sëmurë në këtë kohë, pasi ajeti qartë shprehet: << … Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim…>>. Që të mos obligohet agjërimi për shkak të sëmundjes, sëmundja duhet të jetë e tillë që e vështirëson shumë agjërimin, apo të ketë frikë se nëse agjërohet, personi dëmtohet si qenie njerëzore, apo të ketë frikë se agjërimi do ta shtojë sëmundjen apo do ta prolongojë shërimin nga sëmundja. Nëse sëmundja nuk e dëmton agjëruesin dhe nuk ia randon gjendjen shëndetësore, personit nuk i lejohet të mos agjërojë. Këtë status e marrin edhe personat të cilët janë të shëndoshë, por në kohën e Ramazanit kryejnë ndonjë punë të rëndë, e cila kërkon fuqi fizike, ashtu që agjërimi mund të jetë një faktor potencial që do ta dëmtonte shëndetin e tyre, siç është rasti me punëtorët që punojnë në miniera, apo që kryejnë ndonjë punë tjetër të rëndë fizike. Këta persona, nëse nuk mund të marrin pushim, apo të punojnë me orar të shkurtuar, agjërimin do ta kompenzojnë pas Ramazani, ngase ka mundësi që ta dëmtojnë shëndetin nëse agjërojnë, e në Kur’an, në ajetet që flasin për agjërimin, qartë është theksuar se: << Allahu dëshiron me këtë t’jua lehtësojë juve, e jo t’jua vështirësojë >>.
Nëse sëmundja është akute, personi do t’i agjërojë ditët e lëshuara në Ramazan, pasi të kalon Ramazani. Por, nëse sëmundja është kronike, atëherë personi nuk agjëron, por në vend të agjërimit do të japë “fidje”, gjegjësisht do ta kompenzojë agjërimin me ushqimin e një të varfëri për çdo ditë që nuk ka agjëruar..
Në këtë kontekst trajtohet edhe personi i cili ka arritur moshë të thellë të pleqërisë, dhe kjo moshë nuk ia mundëson që të agjërojë. Edhe personat e shtyrë në moshë, të cilët për shkak moshës nuk mund të agjërojnë, nuk obligohen me agjërim.
 I sëmuri nga Alzheimeri
Në lidhje me agjërimin e personit që vuan nga kjo sëmundje, dijetarët bashkëkohorë kanë dhënë disa mendime, e ne këtu do ta përmendin mendimin e tretë i cili duket se është më gjithpërfshirës në kuptim të marrjes parasysh të fazave të sëmundjes dhe rregullave legjislative islame për kushtet e vlefshmërisë dhe obligueshmërisë së agjërimit dhe adhurimeve fetare në përgjithësi.
Mendimi tretë: Sëmundja e Alzheimerit ka disa faza dhe nivele.
-I sëmuri nga Alzheimeri, i cili e arrinë nivelin e humbjes së memorjes, ashtu që harron, nuk i njeh të afërmit, apo bën veprime skandaloze të cilat nuk u takojnë njerëzve të mençur, e të ngjashme, konsiderohet jo i obliguar fetarisht me detyrat fetare, ashtu që prej tij nuk kërkohet të agjërojë, as ta plotësojë agjërimin më vonë, dhe as ta kompenzoj me ushqim të të varfërit.
-Nëse i sëmuri nga Alzheimeri është në fazat e hershme të sëmundjes, ashtu që ka humbje të pjesërishme të memorjes, ngase i harron gjërat që kanë ndodhur në kohën më të afërt, mirëpo sjellja e tij është e matur dhe e kontrolluar, jo e pa kontrolluar, i njeh anëtarët e familjes, e të ngjashme, konsiderohet i obliguar me detyrat fetare. Ky duhet të agjërojë, nëse ka mundësi dhe nuk ka pengesa tjera. Me këtë rast, ky nuk mund të kalojë në kompenzimin e agjërimit me ushqim të të varfërit, me përjashtim nëse nuk mund ta përballojë agjërimin për ndonjë problem, dhe është rëndë që ta plotësojë agjërimin më vonë. Në këtë rast, mund të kalojë në kompenzimin e agjërimit me ushqimin e një të varfëri. (Fetvaja nr.361768-islamweb.net)
Po ashtu, edhe komisioni për fetva pranë organizatës el-Itihad el-Islamij” në Liban, të udhëhequr nga shejh Othman Dijab, e ku marrin pjesë edhe shejh Velid Abas, Prof. Ali Ibrahim, shejh Muhamed Talib, shejh Mahmud Sa’d Ali, shejh Jusuf el-Kadirij, shejh Abdunasir Nessar, mbajnë qëndrimin se i sëmuri nga Alzheimeri në faza të përparuara, nuk obligohet me agjërim për shkak se i mungon kushti „el-aklu“. Sëmundja në këtë fazë e ka rrëmbyer memorjen e tij, ashtu që nuk është mentalisht i shëndoshë, dhe me këtë nuk obligohet me detyra fetare. Sipas kësaj, ai nuk do ta kompenzojë agjërimin as me ushqim të një të varfëri (fidje), por tutori i tij, apo fëmijët, obligohen ta japin për të sadekatul fitrin.
Agjërimi i gruas me menstruacione:
Agjërimi nuk është obligim për gruan që është me menstruacione për shkak se është e pa mundshme fetarisht të agjërojë, si dhe për gruan që është shtatzënë apo që ka fëmijë në gji, nëse agjërimi e pengon në shtatzëni dhe gjidhënie. Në këtë rast, ajo është fizikisht e pa mundshme të agjërojë. Kjo, edhe pse sot dëgjohen zëra nga disa shkollarë muslimanë se gruaja me menstruacione mund të agjërojë nëse don, dhe nëse agjëron e ka kryer obligimin, gjegjësisht nuk duhet ta bëjë kaza, pasi menstruacionet janë si sëmundja, ashtu që nëse i sëmuri mund të agjërojë dhe nuk e dëmton agjërimi, e ka të lejuar të agjërojë. Por, mendimi i pjesës më të madhe të dijetarëve të të gjitha shkollave juridike islame është se gruaja me menstruacione nuk do të agjërojë, dhe nëse agjëron, duhet përsëri ta kompenzojë agjërimin, pasi agjërimi me menstruacione nuk është i vlefshëm.
(Punimi është botuar në revistën Dituria Islame-Prishtinë).

Nga: Dr. Bashkim Aliu

Shih: Ez Zuhajli, vep. e cit., f.615, ‘Itri, vep. e cit., f.18.