Mendo sikur je duke pritur me padurim ditën e dasmës sate, ardhjen e një personi që e ke pritur gjatë dhe për të cilin zemra të digjet nga malli, apo çastin e diplomimit tënd. Sa i madh do të ishte gëzimi yt? Deri në ç’masë do ta mbushte zemrën tënde lumturia?
Po sikur të të thuhej: “Na trego për pritjen tënde; na përshkruaj vëzhgimin tënd të etur e plot ankth për atë që do të ndodhë.” Dhe pasi ta kishe takuar atë person, të të thuhej: “Na përshkruaj ndjenjat që përjetove dhe gëzimin që të pushtoi.”
Në shumicën e rasteve, për një ngjarje të tillë — si martesa, diplomimi, lindja e një foshnjeje apo kthimi nga udhëtimi i një personi të shumëpritur — ne përgatitemi me përkushtim, numërojmë orët deri në mbërritjen e saj dhe zemrën e kemi përshkuar nga një mall që fjalët nuk arrijnë ta shprehin. Madje, për atë çast, harxhojmë një pjesë të madhe të kohës, parave, mendimeve dhe përpjekjeve tona.
Në raste të tilla, ajo që shfaqim nuk është veçse një pjesë e vogël e gëzimit që ndiejmë në të vërtetë. Në urimet, festimet dhe çastet e gëzimit e të kënaqësisë marrin pjesë turma njerëzish, ndërkohë që ti je i zhytur në valët e mallit, emocionit dhe përjetimeve që sjell ajo ngjarje.
Por çfarë do të ndodhte nëse do të të thuhej: “Ti, pikërisht në këtë çast dhe jo nesër, ke një takim ku do të përjetosh njëkohësisht katër gëzime. Dhe këto çaste gëzimi nuk do të kufizohen vetëm në zemrën, trupin dhe ndjenjat e tua, por do të përfshijnë gjithçka rreth teje! A do të mund të na i përshkruaje gëzimet e tua? A do të mund të na tregoje për gëzimin e zemrës sate dhe të na flisje për mallin dhe dëshirat që të përshkojnë?”
Ajo që të habit më shumë është se këto katër gëzime ndodhin në të njëjtën kohë dhe, mbi të gjitha, nuk të kushtojnë as para, as përpjekje e as mundim. Të gjitha ato të dhurohen brenda një dite dhe një nate.
Nëse thua: “Më trego, më thuaj, më përshkruaj këto gëzime të mbledhura së bashku, që nuk më kushtojnë pothuajse asgjë…” atëherë do të të ftoja ta hapje Kuranin në suren Junus, ajeti 57, dhe të lexoje atë të vërtetë madhështore, e cila meriton t’ia kushtosh zemrën dhe ndjenjat e tua.
Ndoshta tani je bërë mjaft kureshtar të dish më shumë për këto gëzime. Ndoshta mezi pret ta lexosh atë ajet dhe shpirti yt të shtyn të vazhdosh leximin e këtij shkrimi e të shkosh te ajo faqe e Librit të Allahut të Lartësuar, për t’i parë me sytë e tu këto të vërteta.
Por, përpara se ta bësh këtë, dua të të bëj një pyetje me dashamirësi: “A mund të mos e hapësh tani Kuranin dhe të mos e lexosh këtë ajet, përpara se të kuptosh atë që dua të të them?”
E di se e ke lexuar atë dhjetëra herë më parë. Megjithatë, këto gëzime të mbledhura së bashku në një ajet nuk kanë bërë që ti të ndalesh e të reflektosh mbi to, e aq më pak të kenë lënë ndonjë gjurmë pozitive në jetën tënde. Kam frikë se edhe këtë herë do ta njohësh ajetin, do të përpiqesh për pak çaste të kuptosh diçka prej tij, por më pas do të kthehesh përsëri te ajo që ishe, sepse leximi i tij nuk do të ketë ndonjë ndikim të vërtetë tek ti.
Më fal, por duro edhe pak, përpara se të ta shpalos të vërtetën! Më lejo të të pyes në këtë çast:
“Sa herë e ke lexuar Librin e Allahut të Lartësuar që nga dita kur e ke njohur këtë fe?”
“Sa herë i ke shfletuar faqet e tij?”
“Sa herë i ke përfunduar pjesët e tij?”
Dhe pastaj, çfarë ka ndodhur?..
Ndoshta nuk do të gjesh asgjë të re që të zgjojë në ty ndonjë gëzim të veçantë. Ti je ende ashtu siç ishe. E hap Kuranin, lexon në të dhe prej tij çfarë të duash, pastaj e mbyll dhe largohesh prej tij ashtu siç hyre për herë të parë: pa ndonjë ndryshim.
Atëherë, çfarë mund të bëjë tek ti një ajet i vetëm nga Libri i Allahut të Lartësuar, edhe nëse ai përmban mijëra kuptime?
Nëse thua: “Mos më lodh dhe mos luaj me ndjenjat e mia me këto pyetje! Shpresoj që ajo kohë të ketë mbetur pas në jetën time. Ja ku jam, i vendosur për një udhëtim të ri në ditët që do të vijnë. Të premtoj se, kur t’i zbuloj të vërtetat, nuk do t’i lë pa i përvetësuar dhe pa i zbatuar në jetën time.”
Atëherë do të të thosha: Tani mund ta hapësh Kuranin dhe ta shohësh të vërtetën që po e kërkon me kaq padurim: Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz! Ju ka ardhur një këshillë nga Zoti juaj, shërim për atë që është në gjokse, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”[1]
Gëzimi i parë: Kurani është këshillë
Imagjino sikur, vetëm nëpërmjet qasjes sate ndaj Librit të Allahut të Lartësuar, zemra jote të përjetojë një këshillë që e zbut, gjymtyrët e tua t’i nënshtrohen asaj, sytë të të mbushen me lot dhe mendja jote të zbulojë ide, koncepte dhe përfytyrime të bukura që formësojnë mënyrën tënde të të menduarit, botëkuptimet e tua dhe përfytyrimin tënd për jetën. Një këshillë që të ndriçon rrugën, të largon errësirën dhe të shfaq të vërtetat sikur t’i shihje me sytë e tu.
Në fund të fundit, ajo vjen nga Zoti yt, i Cili të ka krijuar dhe që e njeh më mirë se kushdo tjetër thellësinë e shpirtit tënd, fshehtësitë e ndërgjegjes sate dhe atë që është më e dobishme për ty, në të tashmen dhe në të ardhmen. Edhe sikur të mblidheshin të gjithë ekspertët e botës, ata nuk do të mund të të ofronin as edhe një pjesë të asaj që përmban kjo këshillë për jetën tënde, e jo më të gjitha të mirat dhe udhëzimet e saj.
Sa herë ndodh që ne paguajmë para, shpenzojmë kohë dhe sakrifikojmë shumëçka për hir të një ideje, një koncepti apo një përfytyrimi, vetëm që në fund të mos gjejmë asgjë nga ato ëndrra për të cilat kemi pasur mall dhe të cilat i kemi pritur me kalimin e ditëve!
Sa shumë janë librat për të cilët kemi shpenzuar para e kohë dhe të cilëve u kemi kushtuar një pjesë të jetës sonë, për të dalë në fund prej tyre të zhgënjyer dhe me shumë më pak nga sa prisnim. Ata as nuk na dhanë jetë, as nuk na kthyen atë që shpenzuam për ta gjatë ditëve tona.
Ndërsa ky Libër i Nderuar i drejtohet drejtpërdrejt zemrës dhe ndjenjave të tua. Ai formëson konceptet e tua dhe hedh themelet e botëkuptimeve të tua. Nëse e lexon me vetëdije dhe meditim, do të dalësh prej tij me botëkuptime që janë vetë e vërteta dhe nga të cilat nuk humbet asgjë gjatë gjithë jetës sate.
Përmes këtij Libri ti mëson: Përse u krijove? Cili është sekreti i ekzistencës sate në tokë? Cili është armiku yt? Si duhet të sillesh me botën që të rrethon?
Ai të rrëfen historinë e popujve, individëve, grupeve dhe shteteve, në mënyra të larmishme, mahnitëse dhe të pasura me mësime për realitetin tënd, derisa t’i shohësh të vërtetat e jetës sikur të ishin para syve të tu dhe të mos mbetet për ty asgjë e panjohur.
Gëzimi i dytë: Kurani është shërim
Ai është shërim për paaftësinë dhe padijen tënde; shërim për dyshimet që të sulmojnë dhe iluzionet që të shfaqen e të rrethojnë. Sa shumë janë njerëzit skeptikë dhe agnostikë në botën e sotme që vuajnë nga dyshimet dhe iluzionet! Shumë prej këtyre shpirtrave të hutuar nuk do të kishin nevojë për sanatoriume psikiatrike apo spitale të mëdha, sikur ta përjetonin këtë gëzim dhe t’i ushqenin shpirtrat e tyre me të ditë pas dite.
Kurani është shërim edhe për sëmundjet e dyshimit që prekin mendimin tënd dhe për epshet që pushtojnë ndjenjat e tua. Kur zemra shërohet nga sëmundja e saj, ajo vishet me rrobat e shëndetit dhe rifiton gjallërinë e saj.
Përvoja dhe dëshmitë e shumta tregojnë se shumë prej atyre që vuajnë nga këto sëmundje shpirtërore, sikur t’i linin pas të gjitha rrugët e tjera dhe t’i ktheheshin me sinqeritet Kuranit, do të gjenin në të dhe përmes tij atë që u nevojitet.
Gëzimi i tretë: Kurani është udhëzim
Ai e udhëzon zemrën dhe ndjenjat e tua drejt së vërtetës; e udhëzon mendjen dhe mendimin tënd drejt së saktës. Të drejton në rrugën e drejtë pa të rënduar dhe të çon te e vërteta pa të lodhur e pa të lënë të endesh në sprova të panevojshme. Të udhëzon drejt kuptimit të saktë, zgjedhjes më të mirë dhe mendimit më të drejtë, mes kaosit të botëkuptimeve dhe ideve devijuese që të dalin përpara.
Sa e sa ajete kanë trokitur në veshët e një njeriu të shkujdesur dhe më pas kanë bërë që ai t’i qaset jetës me një këndvështrim krejt tjetër! Gjurmët dhe shfaqjet e këtij udhëzimi janë aq të mëdha e të shumta, saqë një artikull i vetëm nuk do të mjaftonte për t’i përshkruar.
Gëzimi i katërt: Kurani është mëshirë për ty
Shfaqjet dhe gjurmët e kësaj mëshire janë përtej çdo përshkrimi. Përmes tij, të vërtetat e jetës të shfaqen sikur t’i shihje me sytë e tu. Ai të udhëzon drejt rrugëve më të shkurtra dhe më të sigurta, të qartëson përfundimet e çdo çështjeje dhe të njeh me Allahun e Lartësuar në mënyrën më të plotë. Të dallon të vërtetën nga e kota, të sqaron përmasat e përplasjes mes tyre dhe të zbulon armiqtë e tu me një qartësi të tillë, saqë nuk mund të ngatërrohen më me askënd.
Ai gjithashtu të shpalos me bujari ligjet dhe rregullat që rregullojnë jetën, duke mos lënë pa përgjigje asnjë prej pyetjeve për të cilat besimtari ka nevojë të dijë përgjigjen.
Ky është Kurani dhe kjo është katërshja e gëzimeve që ai përmban!
Sikur të të shfaqej vetëm njëra prej skenave të kësaj katërsheje, e jo më të gjitha së bashku, dhe ti të arrije të kuptoje domethëniet e saj e të zbulonje sekretet që ajo përmban, do të mbeteshe i mahnitur gjatë gjithë jetës nga kjo pasuri e jashtëzakonshme botëkuptimesh dhe kuptimesh që mund të përmbajë vetëm një ajet nga ky burim i pashtershëm.
E si do të ishte atëherë përjetimi yt përpara ajeteve të tjera dhe përpara gjithë sures Junus?!
Madje, si do të ishe kur të arrije në përfundim të leximit të plotë të Kuranit, ndërsa përmes tij lexon rrugën tënde në jetë, zbulon errësirën që mund të ketë mbuluar zemrën dhe ndjenjat e tua, kërkon nëpërmjet tij rrugët e shpëtimit dhe, në fund, arrin të shohësh qartë gjithçka që më parë ishte e fshehur prej teje?!
Autor: Mish’al Abdulaziz Felahi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Junus: 57.








