Netanyahu lufton për pushtetin mes akuzave për korrupsion dhe pasojave të luftës në Gaza
Numri magjik i zgjedhjeve në Izrael është 61, aq deputetë sa nevojiten për të siguruar shumicën në Knesset dhe për të formuar qeverinë.
Për Benjamin Netanyahun, këto zgjedhje janë shumë më tepër sesa një garë për të ruajtur pushtetin. Kryeministri izraelit përballet prej vitesh me akuza për korrupsion, ndërsa lufta shkatërrimtare në Gaza, e shoqëruar me akuza ndërkombëtare për gjenocid ndaj palestinezëve, ka rënduar bilancin politik dhe moral të qeverisë së tij.
Përballë këtyre presioneve, humbja e pushtetit mund të sjellë pasoja të rënda politike dhe ligjore, çka e bën mbijetesën e tij politike një çështje vendimtare.
Netanyahu ka arsye të forta për të luftuar me çdo mjet politik për një mandat tjetër, duke u mbështetur te aleatët e tij dhe te një koalicion që mund t’i garantojë vazhdimësinë në krye të qeverisë.
Megjithatë, edhe nëse Likudi nuk del forca e parë, Netanyahu mund të mbetet kryeministër nëse arrin të bashkojë aleatët e nevojshëm për të siguruar shumicën parlamentare.
Në të kundërt, një rezultat i favorshëm për kundërshtarët e tij nuk garanton automatikisht largimin e tij. Ata duhet të kapërcejnë përçarjet e brendshme dhe të bien dakord për përbërjen dhe drejtimin e qeverisë së ardhshme.
Në një sistem politik ku fitorja përcaktohet jo vetëm nga votat për secilën parti, por edhe nga aftësia për të ndërtuar koalicione, Izraeli përballet me katër skenarë kryesorë pas zgjedhjeve:
1. Netanyahu siguron shumicën dhe një mandat të ri
Partitë që mbështesin Netanyahun fitojnë së bashku të paktën 61 mandate dhe formojnë qeverinë. Bëhet fjalë kryesisht për partitë ultraortodokse, aleancën mes Smotrich dhe Ben-Gvir, dhe ndoshta edhe për hyrjen e re në skenën politike, Ofer Winterin.
Në këtë skenar, edhe nëse partia e Eizenkot merr më shumë mandate se Likud, Netanyahu mund të mbetet kryeministër falë forcës së aleatëve të tij. Pesha që do të ketë secila parti brenda këtij blloku, do të përcaktojë edhe fuqinë e saj negociuese gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë.
2. Kundërshtarët e Netanyahut sigurojnë shumicën dhe formojnë qeverinë e re
Partitë sioniste që kundërshtojnë Netanyahun sigurojnë së bashku të paktën 61 mandate. Kjo do të hapte rrugën për zëvendësimin e tij, por do të nevojitej ende një marrëveshje për atë se kush do ta drejtonte qeverinë, si do të ndaheshin postet dhe cili do të ishte programi i saj.
Nëse Eizenkot do të kishte një epërsi të konsiderueshme brenda këtij blloku, kjo do t’ia forconte pretendimin për të marrë drejtimin e qeverisë. Krahas tij do të ishin partitë e qendrës, të drejtuara nga Naftali Bennett dhe Avigdor Liebermani, si dhe partia e majtë e Yair Golanit.
Megjithatë, në këtë skenar është e mundur, madje e mundshme, që kundërshtarët e Netanyahut të mos arrijnë të sigurojnë 61 mandatet e nevojshme dhe të detyrohen të kërkojnë mbështetjen e një partie arabe.
3. Qeveri e unitetit kombëtar ose marrëveshje për rotacionin në krye të qeverisë
Rezultatet e zgjedhjeve nuk i japin asnjërit prej dy blloqeve mundësinë të formojë qeverinë që dëshiron. Në këto kushte, mund të nisin negociatat mes Netanyahut dhe Eizenkot.
Ndër mundësitë që mund të shqyrtohen, janë krijimi i një koalicioni të gjerë ose arritja e një marrëveshjeje për rotacionin në krye të qeverisë, sipas së cilës dy liderët do të ushtronin detyrën e kryeministrit në periudha të ndryshme.
Çështjet vendimtare, do të jenë se cili prej tyre do ta marrë i pari detyrën dhe cilat parti do të mbeten jashtë marrëveshjes, me gjasë ato që ndodhen në skajet e spektrit politik. Është një skenar i vështirë, por jo i pamundur.
4. Ngërç politik dhe zgjedhje të reja
Asnjëri prej dy blloqeve nuk arrin të sigurojë shumicën dhe asnjë lider nuk ia del të kapërcejë vetot reciproke dhe mosmarrëveshjet politike. Nëse të gjitha përpjekjet për formimin e qeverisë dështojnë, Izraeli mund të detyrohet të rikthehet në kutitë e votimit.
As një fitore e thellë e një partie të vetme, për nga numri i mandateve, nuk do ta përjashtonte këtë mundësi, nëse asaj do t’i mungonin aleatët e nevojshëm për të krijuar shumicën parlamentare. Duke u nisur nga sondazhet e fundit, ky mbetet një nga më të mundshmit.




