Këmbimi valutor, Euroja në nivelin më të ulët të 10 viteve

Euroja ka vijuar të humbë pikë edhe sot, në tregun e brendshëm valutor, duke shënuar nivelin më të ulët në këto 10 vitet e fundit, në këmbim me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye të premten me 131.19 lekë, ose 0.26 lekë më pak se një ditë më parë. Ndërsa monedha e gjelbër amerikane forcoi lehtë pozitat me 0.04 lekë, duke u ngjitur në kuotën e 106.37 lekëve.

Përfaqësues të tregut valutor, shprehen se luhatjet e këmbimit i adresohen kryesisht ofertës së lartë për euro dhe kërkesës në rënie për këtë monedhë.

Por sipas tyre, edhe masat që ka marrë Banka e Shqipërisë për de-eurozimin kanë ndikuar në stepjen e veprimeve financiare në euro. Bankat po nxisin individët që të konvertojnë depozitat nga euro në lekë, çka është një tjetër faktor i shtuar që ka rritur ofertën në valutë dhe favorizon forcimin e monedhës vendase, Lek.