Kënga dhe Muzika!?

Shejh Kardavi (r.a)

Kënga është zbavitje që i qetëson shpirtrat, i gëzon zemrat dhe i kënaq veshët. Islami e lejon këngën që nuk përmban në vete fjalë të turpshme, dëm e nxitje për mëkat. Këngën mund ta shoqërojë mu­zika që nuk ngacmon e provokon. Kënga preferohet në raste festive si p.sh. në ditët e Bajramit, martesës, kthimit të udhëtarit (kurbet­çiut), lindjes etj.
Aisheja r.a. transmeton se kur është martuar një grua me një ensar, Pejgamberi i ka thënë:

“Oj, Aishe, a u zbavitën? Ensarët e duan zbavitjen!”

Ibn Abbasi transmeton se Aisheja ka martuar një të afërme të saj me një ensar, e në atë rast ka ardhur Pejgamberi a.s. dhe ka pyetur: “A e keni përgatitur vajzën?” thanë: -Po – u përgjigjën njerëzit “A dërguat me të dikë që di të këndojë?” Unë thashë: Jo. – “Ensarët janë popull që e do kën­gën, dhe ju është dashur të dërgoni ndonjë që këndon: “Ju erdhëm, ju erdhëm! Na përshëndetni ashtu si ju përshëndesim!”[2]

Aisheja transmeton se në ditët e Mines, ka ardhur Ebu Bekri tek ajo dhe aty ka parë dy vajza që këndonin dhe i bienin defit në praninë e Pejgamberit a.s. që e kishte mbuluar kokën me shall. Kur ka da­shur Ebu Bekri t’i dëbojë, Pejgamberi a.s. e ka zbuluar fytyrën dhe i ka thënë:

“Lëri o Ebu Bekër! Këto janë ditë feste!” (Në festën e Bajramit të kurbanit).[3]

Në librin El-Ihja’u, Imam Gazaliu i përmend hadithet e këndimit të dy vajzave, luajtjen e etiopianëve në Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe inkurajimin e Pejgamberit duke u thënë: “Vazhdoni, o Beni Erfide”; pyetjen e Pejgamberit drejtuar Aishesë se a dëshiron t’i shohë; qëndrimin e të dyve bashkërisht derisa ajo ishte lodhur dhe lojën e Aishesë me vajzat tjera, dhe pastaj thotë: Të gjitha këto ha­dithe transmetohen në të dy sahihët dhe qartazi argumentojnë se kënga dhe loja nuk janë haram.

Nga këto hadithe mund të konkludojmë:

1. (Lejimi) i lojës; dhe duket qartazi tradita e etiopianëve për lojë e vallëzim.

2. Praktikimi i tyre në xhami.

3. Thënia e Pejgamberit a.s.: “Vazhdoni, o Beni Erfede”. Meqë kë­tu shohim se ka kërkesë për lojë, atëherë si mund të thuhet se është haram?

4. Pejgamberi a.s. ua ndaloi Ebu Bekrit dhe Umerit pengimin dhe dëbimin e lojtarëve e këngëtarëve, me arsyetim se ishte ditë feste, gjegjësisht ditë gëzimi dhe se kënga në raste të tilla është shprehje gëzimi.

5. Qëndrimi i gjatë i tij me Aishenë që të shohin e dëgjojnë argu­menton moralin e mirë për kënaqjen e grave e fëmijëve me lojë. Kjo nënkupton se kështu është më mirë se vrazhdësia e asketizmit dhe largimi nga kjo botë.

6. Pyetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Aishesë në fillim: “A dëshiron t’i shohish?”[4]

7. Lejimi i këngës dhe i defit…, e kështu me radhë, deri në fund të asaj që e përmend Gazaliu në kapitullin e këngës.

Transmetohet se shumë sahabë e tabi’inë (r.a.) dëgjonin këngë pa vërejtur ndonjë të keqe në to.

Hadithet që ndalojnë këngën janë të dobëta dhe të gjitha kritikohen nga kritikët dhe dijetarët e Hadithit. Kâdî Ebu Bekër ibn Arabiu tho­të: “Hadithet që ndalojnë këngën nuk janë autentike!” Gjithashtu edhe Ibn Hazmi thotë:

“Çdo transmetim rreth kësaj çështjeje është i pavlefshëm dhe i trilluar.”

Shpeshherë kënga dhe muzika kombinohen me dëfrim, alkool e zbavitje të natës, dhe për këtë shkak shumë dijetarë i ndalojnë ose i urrejnë (mekruh). Disa prej tyre thonë: “Kënga përmban tregime boshe”, fjalë që përmenden në ajetin.

“Po, ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe me qëllim që t’i lar­gojnë njerëzit prej rrugës së All-llahut pa patur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet) e All-llahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.” (Llukmân, 6)

Ibn Hazmi thotë: “Ajeti potencon një gjë të shëmtuar, të cilën kush e punon, bëhet kafir, gjegjësish marrjen e ajeteve të Zotit si tallje. Në qoftë se ndokush e blen Kur’anin për të devijuar nga rruga e Zotit dhe për ta marrë si tallje, atëherë ai është kafir, dhe pikërisht këtë e qorton Zoti i Madhëruar e jo atë që blen tregime boshe për relaksimin dhe qetësimin e shpirtit, por jo të devijojë nga rruga e Zotit.”

Kur flet Ibn Hazmi për ata që thonë se kënga nuk i takon “të vërte­tës” por “humbjes” duke u mbështetur në ajetin kur’anor: “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos humbje (iluzione)”, thotë: “Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Veprat gjykohen sipas qëllimeve, dhe çdo njeri do ta marrë atë që e ka për qëllim!”[5]

Pra, kush dëshiron të dëgjojë këngën me qëllim që të bëjë mëkat, ai është mëkatar (fasik), (dhe kështu në çdo gjë përveç këngës), e kush dëshiron ta relaksojë shpirtin, të përforcohet në adhurimin e Zotit dhe si stimulim për mirëbërje, ai i nënshtrohet Zotit, është bamirës dhe vepra e tij i takon të vërtetës. Kush nuk dëshiron nënshtrimin e as mëkatin, bën diçka neutrale dhe të padëmshme, si p.sh. dalja e njeriut në kopshtin e vet për shëtitje, ulja e tij para derës së shtëpisë së vet për të shikuar ose ngjyrosja e rrobave me ngjyrë të kaltër ose të gjelbër, e kështu me radhë…”

Sidoqoftë, ekzistojnë disa përkufizime që duhet të merren parasysh kur bëhet fjalë për çështjen e këndimit:

1. Tematika e këngës nuk duhet të kundërshtojë moralin islam dhe mësimet e Islamit. Këngët që glorifikojnë alkoolin ose ftojnë në konsumimin e tij, ndalohen të këndohen e të dëgjohen. Kështu ndodh edhe me gjërat tjera të ngjashme!

2. Ndoshta tematika përputhet me udhëzimin islam por mënyra e këndimit e shndërron prej hallallit në

haram, p.sh. lëvizjet provo­ka­tive që nxisin epshin, fitnen e emocionet.

3. Islami jo vetëm që kundërshton teprimin në çdo gjë, bile edhe në adhurim, por gjithashtu nuk pranon edhe teprimin në dëfrim dhe teprimin në kohë, e koha është jetë?!

S’ka dyshim se teprimi në të lejuarat vjedh kohën e obligimeve. Në këtë kontekst thuhet: “Ç’do teprim humb diçka tjetër!’

4. Çdo individ është gjykatësi më i mirë i vetvetes. Në qoftë se kën­ga ka tipare që i provokojnë epshet, që shpiejnë në mëkat dhe ndi­kojnë që aspekti shtazarak të dominojë mbi aspektin shpirtëror, atë­herë njeriu obligohet të largohet dhe të mbyll derën nëpër të cilën mund të depërtojë fitneja në zemër, fe e moral, dhe kështu të shpë­tojë e të pushojë.

5. Mendimi unanim është se ndalohet kënga që kombinohet me gjë­ra të ndaluara, p.sh. të këndohet në gazmendet me alkool, të ekze­kutohet me striptiz. Pikërisht për këtë lloj Pejgamberi a.s. ua tërheq vërejtjen familjes dhe dëgjuesve duke iu kërcënuar me dënim të rëndë:

“Prej ummetit tim do të pijnë alkool. E quajnë me emra tjerë dhe afër kokave të tyre janë muzikantët e këngëtarët. Zoti do t’i bë­jë që t’i gëlltisë toka dhe do t’i shndërrojë në majmuna e derra!”[6]

Kjo nuk do të thotë se Ai do t’i transformojë në formë fizike por në formë psikike e shpirtërore. Në trupin e njeriut do të jetë shpirti i majmunit dhe i derrit.

Nga: Dr. Jusuf el-Kardavi (r.a)