Kërkohet përjashtimi i profesorit të UP-së që u denoncua për ngacmim seksual

Të martën po protestohet ndaj profesorit të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, që nga shumë studente u denoncua si ngacmues seksual.

Protesta u iniciua nga Lëvizja Feministe Studentore, ku me pankarta në duar, studentë e përfaqësues të organizatave joqeveritare kërkuan heqjen e tij.

“Përjashtojeni Xhevat Krasniqin”, “Xhevat Krasniqi jashtë”, “Studime, pa ngacmime seksuale”, “Ngacmimi seksual është krim”, “Nuk durojmë ma”, janë disa prej thirrjeve që po bëhen para Fakultetit të Edukimit.

Blenda Asllani nga kjo lëvizje ka thënë se ngacmimi seksual është krim dhe “si i tillë s’ka vend në Universitetin e Prishtinës e askund tjetër”.

“Ne u besojmë 27 denoncuesve, i mbështesim ankesat e tyre dhe kërkojmë që ky profesor të përjashtohet nga UP-ja si dhe të shkarkohen anëtarët e Këshillit të Etikës të cilët në vazhdimësi po dështojnë që ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë ajo, duke deklaruar se mungesa e reagimit nga UP-ja e normalizon ngacmimin.

Sipas saj, profesori Krasniqi po vazhdon të ligjërojë pa pengesë e edhe Këshilli i Etikës s’i ka ftuar palët për intervistim “gati tri javë pas denoncimit”.

KOHA ka raportuar javën e kaluar që profesori Krasniqi, i cili mban dy orë në javë të lëndës së Matematikës në Mjekësi, është denoncuar para dy javësh në Këshill të Etikës nga 27 studente për ngacmim seksual.

Studentet kanë akuzuar profesorin se u është drejtuar me sjellje joprofesionale gjatë orarit të konsultimeve.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, shkruan në ankesë.

Për sjellje joakademike në orarin e konsultimeve e ka akuzuar edhe një studente tjetër.