Kërkonin avionin MH370, zbulojnë mbetje historike

Ekipet që punonin në kërkim të avionit nga fluturimi MH370 i Malaysia Airlines, i cili u zhduk në vitin 2014, kanë gjetur mbetjet e anijeve tregtare nga shekulli i 19-të, të cilat ishin fundosur jashtë brigjeve të Australisë Perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Muzeu i Australisë bën të ditur se anijet, njëra prej druri dhe tjetra e hekurt, u zbuluan në vitin 2015, në një thellësi prej rreth 4 kilometrash, në një distancë 36 kilometërshe nga njëra-tjetra. Besohet se anijet janë britanike dhe se kanë mbajtur thëngjill.

Ekspertët nga “Western Australian Museum”, dhe ata të Byrosë Australiane për Transport dhe Siguri, kanë analizuar të dhënat video për të përcaktuar origjinën e dy anijeve.

Dr. Ross Anderson, kurator i Detarisë në Muzeun e Australisë tha se anija e drurit mund të ketë qenë W. Gordon ose Magdala, ndërsa për anijen e hekurt ka tre supozime, Kooringa (1894), Lake Ontario (1897) ose West Ridge (1883).

“Provat flasin se fundosja e anijeve është nga shkaku i një zhvillimi katastrofik, siç është shpërthimi i cili ishte një ngjarje e zakontë gjatë transportit të thëngjillit”, tha Anderson.

Sipas Andersonit, lundrakja nga druri ka peshuar mes 225 dhe 800 tonë, ndërsa anija e hekurt mes 1.000 dhe 1.500 tonë.