Këshilla nga Alija Izzetbegoviçi për të rinjtë myslimanë

Jini të guximshëm dhe qëndroni larg frikacakëve!

Dijeni se Islami nuk do të ngrihet mbi supet e frikacakëve, por mbi supet e myslimanëve trima dhe këmbëngulës. Frikacakët janë ata që pak a shumë e adhurojnë Allahun, i festojnë festat dhe i përmbushin disa zakone dhe simbole të caktuara të fesë, por që i shmangen luftës për vlerat e tyre për shkak të frikës, që mashtrojnë në tregti me gjakftohtësi ekstreme, që jetojnë në kurrizin e të tjerëve pa u ndjerë fajtorë, që e ruajnë jetën dhe pozitat e tyre me frikë sikur do të jetojnë njëmijë vjet dhe që u servilosen si robër atyre që janë më të fortë se ata.
Karakteristika më e dukshme e këtij lloji të njerëzve është frika. Frikë për jetën e tyre, frikë për pasuritë e tyre, frikë për gradën dhe pozitën e tyre. Të gjitha përpjekjet e tyre janë të fitojnë mbështetjen e një të fuqishmi apo të pushtetshmi. Pavarësisht se jetojnë në frikë, vetëm një frikë mungon në jetën e tyre. Ajo është frika ndaj Allahut. Ata i rrisin edhe brezat e tyre me këtë frymë dhe në një atmosferë kaq të pasigurt dhe hipokrite.

Mos lejoni që forca t’ju ndryshojë!

Nëse një ditë do të keni fuqi dhe pushtet, jini të kujdesshëm me veprimet tuaja. Mos u tregoni arrogantë, mos u bëni prej atyre që u pëlqen vetja. Mos i merrni gjërat që nuk ju përkasin, ndihmojini të dobëtit dhe përmbajuni rregullave të moralit. Mos harroni se nuk ka pushtet të përjetshëm. Çdo pushtet është i përkohshëm dhe çdokush herët a vonë do të japë llogari fillimisht para kombit dhe në fund para Allahut.

Mos e humbni moralin!

Çdo forcë në këtë botë fillon me një moral të fortë. Çdo humbje fillon me një rënie të moralit. Çfarëdo që duhet bërë, duhet që së pari të realizohet në shpirtrat e njerëzve. Kjo bëhet e mundur me moral. Feja është moral. Kurse zbatimi i saj në jetë është edukim.

Kërkoni drejtësi, jo hakmarrje!

Askush nuk duhet të kërkojë hakmarrje, por duhet të kërkojë vetëm drejtësi. Sepse hakmarrja ua hap derën të këqijave të pafundme. Mos e harroni të kaluarën, por as mos jetoni me të! Motoja jonë është kjo: Duaje atë që është prej nesh, kurse tjetrin respektoje. Ne nuk do të mbajmë kurrë mëri, por kurrë nuk do t’i harrojmë ato që kanë ndodhur dhe kur gjithçka të përfundojë, do të kujtojmë heshtjen e miqve, jo fjalët e armiqve tanë.

Zbatojeni Kuranin dhe përgatituni për vdekjen!

Mos harroni! Jeta është një lojë që askush nuk e fiton përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Kurani nuk është letërsi, është jetë; prandaj duhet parë si mënyrë jetese, jo si mënyrë të menduari. Ndiqeni Kuranin! Sepse, nëse edhe ne bëhemi prej zullumqarëve, nuk ka kuptim të luftojmë. Do ta ndjekim Kuranin. E gjithë lavdia dhe mirënjohja i takojnë Allahut dhe vetëm Allahu mund ta përcaktojë cilësinë e vërtetë të njerëzve. Dijeni se kombinimi më i keq është një shpirt bosh dhe një stomak plot. Kafshët janë të rrezikshme kur janë të uritura ose të kërcënuara; ndërsa njerëzit janë të rrezikshëm kur janë të ngopur dhe të fortë. Ju përgatituni gjithmonë për vdekjen! Sepse njerëzit që janë gati të vdesin, i mundin njerëzit që nuk janë gati të vdesin.

Dorëzojuni Allahut dhe mbështetuni tek Ai!

Bindja se fati i gjithçkaje nuk është në dorën tonë, është ajo që e bën luftën tonë njerëzore dhe të arsyeshme dhe e vulos me paqe e qetësi. Ajo që na takon ne, është të përpiqemi, të mundohemi; kurse rezultati është në dorën e Allahut. Dorëzimi ndaj Zotit është e vetmja rrugëdalje dinjitoze nga pazgjidhshmëria dhe pakuptimësia e jetës.
Mos e harroni kurrë këtë! Perëndimi nuk ka qenë asnjëherë i qytetëruar dhe prosperiteti i tij aktual bazohet në kolonializmin e tij të vazhdueshëm, në gjakun që derdh dhe në lotët e dhimbjet që shkakton.

Qëllimi ynë është islamizimi i myslimanëve; Motoja jonë është të besojmë dhe të përpiqemi.
Përktheu: Fatmir SULAJ