Këshilli Prokurorial sërish dorëzon emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të mërkurën ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.

“Po, është e vërtetë që e kanë dërgu edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, ka thënë Grantolli.

Po ashtu, edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi ka thënë se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.

“E di që është formu një grup që ka pas me i analizu qito çështjet e ngritura, është dërgu pastaj të gjeturat lidhur me këtë çështje dhe na kemi dhanë secili qëndrimin tonë. Mbledhje e veçantë nuk është mbajtë, se nëse ish mbajtë mbledhja ishit informu besoj, të gjitha mediat”, ka thënë Gashi.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar për medie i presidentes Vjosa Osmani, ka konfirmuar se “kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku”.

Presidentja Vjosa Osmani më 17 tetor 2023, përmes një konference për medie njoftoi se e ka njoftuar KPK-në që duke u bazuar në shkeljet e evidentuara në proces, nuk mund ta dekretojë Isufajn për kryeprokuror të shtetit.