KFOR: Zbatimi i ligjit në veri, detyrë ekskluzive e Policisë së Kosovës

Pas zbarkimit të 200 ushtarëve britanikë, KFOR-i ka paralajmëruar edhe përforcime tjera nga radhët e aleancës veri-atlantike. Por, në këtë mision ushtarak thanë se kjo nuk nënkupton marrjen e përgjegjësive të reja. Sipas KFOR-it, zbatimi i ligjit edhe në veri, është prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës.
KFOR-it ka shprehur qëndrimin se as në veri nuk do ta luajë rolin e policisë.

Në një përgjigje dhënë KOHËS, forca ushtarake e NATO-s ka bërë të ditur se ky rol i takon ekskluzivisht Policisë së Kosovës.

“Mandati i KFOR-it që buron nga OKB-ja, është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”, thuhet nga KFOR-i.

Serbia vazhdimisht ka kërkuar që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu, dhe që KFOR-i ta marrë kontrollin në këtë pjesë. Thirrjen për këtë e ka sforcuar, edhe pas sulmit në Banjskë, në të cilën Policia vrau tre prej anëtarëve të grupit paraushatrak serb.

Në KFOR nuk ofruan sqarime lidhur me atë se në përgjegjësi të kujt ka qenë zona ku dyshohet se është futur nga Serbia grupi sulmues dhe armatimi i rëndë.

Por, paralajmëruan përforcime të tjera nga aleatët e NATO-së në funksion të adresimit të situatës aktuale në veriun e Kosovës.

“Më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi vendosjen e forcave shtesë, për të adresuar situatën aktuale. Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar ka vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po stërvitet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë”, thuhte nga KFOR-i.

Në KFOR saktësuan se vendimi është marrë pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon. Sipas këtij misioni ushtarak, ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij që buron prej OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës. Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i po shton gjithashtu praninë dhe aktivitetin e vet në veri të Kosovës”.

KFOR-i e ka përsëritur kërkesën që palët t’i kthehen dialogut për gjetjen e një zgjidhje që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

“Ne u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve”, tha KFOR-i.

Rritjen e prezencës së KFOR-it e kanë kërkuar edhe udhëheqësit e Kosovës, teksa kryeministri Kurti e ka përmendur ndalesën që e ka FSK-ja për të zbarkuar në atë pjesë.

Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në operacionin pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues.